Policia bastisje në Prishtinë për sulmin me bombë në Kuvend

30.08.2016 09:59:23

Policia e Kosovës është duke kryer bastisje në Prishtinë për llogari të hetimeve për sulmin me bombë në Kuvend që ndodhi natën e 5 gushtit.

Lajmi është konfirmuar për KALLXO.com nga Reshat Millaku, kryeprokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës.

“Bastisjet kanë lidhje me sulmin në Kuvend”, tha shkurt Millaku.

KALLXO.com mëson se njëri nga lokacionet e bastisura është në lagjen Mati në Prishtinë ndërsa zëdhënësi i Policisë Daut Hoxha nuk pranoi të komentojë gjatë për bastisjet duke thënë se “aksioni është duke u zhvilluar në koordinim me Prokurorinë Speciale”.

Prokuroria ka thënë se gjatë ditës do të dalë me një komunikatë për shtyp për detajet e aksionit.