Policia jep detaje për sulmin ndaj gruas rome në Ferizaj

31.05.2019 14:40:46

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për sulmin e sotëm që i është bërë gruas rome në Ferizaj.

Ali Ajdini, major nga Policia e Ferizajt ka thënë  se kanë marrë një thirrje nga një qytetar i cili e ka lajmëruar rastin.

Sipas tij, patrulla i është përgjigjur thirrjes menjëherë dhe ka dalur në vendin e ngjarjes, mirëpo nuk ka hasur në sulmuesit e supozuar.

“Patrulla iu ka përgjigjur rastit dhe ka dalë në vendin e ngjarjes e ka takuar gruan në shesh e cila është shoqëruar në stacion policor. E keqja e rastit është se ajo ende nuk është duke folur. Kur ka shkuar patrulla aty nuk e ka taku dikënd duke e sulmua”, ka thënë ai.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se Policia është duke u munduar të mbledhë informacione për sulmuesit e mundshëm, pasi që një gjë të tillë nuk kanë mundur ta identifikojnë akoma.

“ Patrullat janë duke u munduar të mbledhin informacione nga dikush afër nëse ajo është sulmuar apo jo. Kemi kontaktuar edhe me drejtorinë e përgjithshme për shkak të procedurave. Mirëpo nuk mund ta konfirmojmë nëse është sulmuar apo jo”, ka thënë ai.

Kujtojmë se më herët mediat kanë raportuar se gruaja rome është sulmuar brutalisht nga një turmë njerëzish në qytetin e Ferizajt.