Policia konfirmon: Turqit e arrestuar janë deportuar të enjten

31.03.2018 11:33:49

Familjarë të gjashtë shtetasve turq, të arrestuar të enjten nga Kosovë, kanë pritur me orë të tëra të premten në mbrëmje para aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Ata janë parë aty edhe mëngjesin e sotëm.

Mirëpo, familjarët e tyre tashmë janë larguar nga Kosova, sipas Policisë së Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka thënë për KosovaPress se qytetarët turq janë larguar me aeroplan nga Kosova ditën e enjte.

“Policia e Kosovës  informon opinionin se qytetarët turq të cilëve i është revokuar leje qëndrimi në Kosovë janë larguar me aeroplan nga Aeroporti i Prishtinës në ora 11:05 minuta, të datës 29.03.2018”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Policia në fund ka siguruar opinionin se mbeten të përkushtuar në realizimin e detyrave, përgjegjësive të sajë konform mandatit kushtetues dhe ligjor.