Policia për largimin e qytetarëve në Dardani: Jemi të angazhuar sipas detyrimeve ligjore

26.09.2016 15:05:25

Prani e madhe e forcave të Policisë së Kosovës është parë edhe gjatë ditës së sotme teksa bëhej lirimi i banesave të uzurpuara në Dardani të Prishtinës. Policia e Kosovës është justifikuar lidhur me veprimet e ndërmarra në këtë rast. Thotë se po e zbaton ligjin për të cilën është e mandatuar.

“Policia e Kosovës informon opinionin e gjerë dhe mediat, se duke u bazuar në shkresën zyrtare dërguar nga autoritetet kompetente, respektivisht nga Gjykata Themelore në Prishtinë tek Policia e Kosovës, me ç’rast është kërkuar asistencë në lagjen Dardania në Prishtinë, janë ndërmarrë veprime ligjore për ofrimin e asistencës në ekzekutimin e vendimit sipas kërkesës dhe procedurave ligjore”, ka bërë të ditur Polica në një komunikatë për media.

Ndër tjera, Policia ka sqaruar edhe njëherë se në këtë qështje është e angazhuar sipas detyrimeve ligjore që ka Policia e Kosovës në zbatimin e vendimeve të Gjykatave kompetente në vend, dhe se qëllimi i veprimeve policore në këtë rast është për të ofruar siguri për zyrtarët e autorizuar të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe zyrtarëve të tjerë gjatë procedurës në zbatimin e vendimeve ligjore, ruajtja e rendit, qetësisë publike dhe ndërmarrja e masave ligjore ndaj secilit që cenon rendin dhe sigurinë.