Policia pranon nga gjykata urdhër-arrestet për deputetët

23.11.2017 16:25:18

Policia pranoi nga gjykata urdhër-arrestet për tre deputetët e LVV-së, ndërsa thotë se do t’i zbatojë ato.

Zëdhënësja e policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti- Haziraj konfirmoi për KALLXO.com se policia mori nga gjykata urdhër- arrestet për tre deputetët e Vetëvendosjes- Albin Kurtin, Albulena Haxhiun dhe Donika Kadaj-Bujupin.

Urdhër-arrestet i lëshoi dje kryetari i trupit gjykues në procesin për lotsjellësin në Kuvend Beqir Kalludra, pasi tre deputetët e akuzuar nuk u paraqitën në gjykatë.

“Po kemi pranuar, urdhër- arrestet dhe konform atyre që na është adresuar ne do të ndërmarrim masa”, tha Ahmeti- Haziraj për KALLXO.com.

Edhe pse gjyqtari Kalludra njoftoi dje në seancë për urdhër-arrestet ndaj deputetëve, tre deputetët e Vetëvendosjes u panë sot në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Kalludra tregoi sot se urdhër-arrestet e përmendura dje i ka lëshuar sot rreth mesditës, duke treguar se policia nuk i ka pasur ato për të arrestuar deputetët para se të hyjnë në Kuvend.

“Policia nuk kanë pasur urdhëresë, pasi që urdhëresa ende nuk ka qenë e përgatitur nga ana ime për shkak të angazhimeve. Unë sot paradite e kam nënshkruar urdhëresën dhe e njëjta ka dalë nga zyra ime para orës 12:00”,tha Kalludra.

Ai dje urdhëroi arrestimin e Albin Kurtit, Donika Kadaj-Bujupit dhe Albulena Haxhiut dhe dërgimin e tyre në qendër të ndalimit.

Edhe në seanca tjera të gjykimit për hedhje të lotsjellësit në Kuvend, Kurti e Kadaj-Bujupi munguan.