Politika e rrugës e ka vrarë protestën qytetare

05.02.2018 18:29:17

Nga Rexhep Kastrati

Kur ambasadori amerikan, Greg Delawie bëri fjalë për protestë qytetare kundër nismës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, kishte parasysh reagimin aktiv të shoqërive demokratike perëndimore, pra edhe asaj amerikane lidhur me çështje të rëndësishme për komunitetin, por edhe për interesa që kanë të bëjnë me vendin.

Protesta qytetare, siç bëhet në shoqëritë demokratike perëndimore, është protestë e një shoqërie aktive dhe të e vetëdijshme për fuqinë e saj si themel i demokracisë, dhe si një mjet demokratik, krahas votës, për të detyruar Qeverinë e vendit të vet, apo edhe nivele të tjera të pushtetit, por edhe agjnesitë tjera, të ndërmarrë apo të mos ndërmarrë veprime që janë në kundërshtim me interesat e vendit apo të asaj si shoqëri, apo grup shoqëror.

Çështja për të cilën, ambasadori Greg Delawie ka shprehur shqetësimin dhe ka kërkuar reagimin shoqëror, është e një rëndësie parësore dhe mjaft përcaktuese si për vetë funksionimin e shoqërisë dhe të shtetit, ashtu edhe për marrëdhëniet me aleatët. Në kushtet kur bartësit e të tri institucioneve kryesore shprehnin qëndrime dhe realizonin veprime për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, pra në kushtet kur kish rrezik që këto institucione të mundoheshin të impononin një vendim-marrje të dëmshme, ishte e qartë se çështja duhej të bartej te qytetarët, përkatësisht të realizohej një reagim qytetar kundërshtues në mbrojtje të interesave të vendit.

E tërë kjo, ndërkaq, kishte përballë politikën e rrugës, e cila historikisht ka prodhuar keqpërdorim për të devalvuar vetëdijen politiko-institucionale, për të komprometuar çështjet për të cilat realizohej ajo, dhe për të rrëzuar pushtete, përkatësisht për të sjellë në pushtet. Politika e rrugës është politika që nëpërmjet protestës qytetare të manipulohet shoqëria, ose grupe shoqërore për interesa të individëve apo të strukturave të caktuara, për të dëmtuar procese dhe për të rrënuar institucione.

Në emër të të mirës, kryesisht në emër të interesit kombëtar, nëpërmjet politikës së rrugës janë dëmtuar interesa kombëtare, demokratike e shtetërore, është cënuar dhe dëmtuar vetëdia shtetërore-institucionale dhe është afirmuar vetëdia tribale, injoranca dhe mendësia edhe kriminale.

Gjatë viteve 2015-2016 kanë ndodhur protesta nëpërmjet të të cilave është ngjallë urrejtje ndaj shtetit, ndaj institucioneve të tij, por edhe ndaj aleatëve tanë strategjikë në krye me SHBA-të, është nxitur dhunë fizike deri në kufijtë e terrorizmit, si dhe është dëmtuar vetëdia dhe përgjegjshmëria shtetërore dhe demokratike e shoqërisë sonë, dhe është afirmuar vetëdia tribale, anarkiste.

Organizatorët e politikës së rrugës, gjithë këto i bënë në emër të një patriotizmi tribal dhe duke keqpërdorë çështje të përgjegjësive shtetërore dhe të pozitës së shtetit përballë përgjegjësive ndërkombëtare. Sikurse më 2004, edhe më 2015-2016, ishte krijuar institucioni moral se kush nuk është me ta, është tradhtar, kush nuk mbështet qëndrimet e tyre, është tradhtar, është me Serbinë.

Shoqëria jonë, në kushtet e një lufte të fortë speciale që shquhet me afirmimin e kundërvlerave, me shpërlarjen e trurit dhe me blatimin e qasjeve të dëmshme, dhe në kushtet e një rrënimi të integritetit dhe të vlerave të subjekteve politike, është shndërruar në një shoqëri apatike, në një shoqëri me mendësi tribale, por edhe në një shoqëri të thyer.

Dhe kjo është fitore e madhe e politikës së rrugës, e cila duke e keqpërdorë shpirtin e protestës qytetare, ka arritur që këtë shoqëri ta lodhë, ta topitë dhe ta fusë në një karantinë morale, politike e demokratike.

Kësaj i ka kontribuar shumë edhe devalvimi i madh moral, politik dhe demokratik i partive politike, të cilat nuk ngjallin besim dhe shpresë se mund të përmirësojnë gjendjen e sistemit të vlerave, e funksionimit demokratik dhe e përgjegjshmërisë ndaj përgjegjësive politike, institucionale, shtetërore e demokratike.

Kjo klasë politike është hileçare dhe hipokrite që ka ndërtuar dhe ndërton luftën e saj politike mbi keqpërdorimin e gjithçkaje që mund të keqpërdorë, përfshirë edhe protestën qytetare, qotë edhe për çështje jopolitike, siç mund të jenë protestat sociale.

Pra, politika e rrugës ka vrarë protestën qytetare dhe ka vrarë besimin e shoqërisë ndaj klasës politike dhe jo vetëm ndaj saj.