Ish-rektori i UP-së, Ramadan Zejnullahu: Politika, larg duart nga arsimi

29.12.2016 09:46:23

Ish-rektori i UP-së, Ramadan Zejnullahu, nuk është shprehur i shqetësuar me raportin e fundit të PISA-s për Kosovën pasi ky vlerësim, sipas tij, është pritur.

Në intervistën dhënë “Zërit” ai kërkon nga Qeveria të ndërtojë infrastrukturën ligjore dhe jo të “rehatojë” ministra, këshilltarë, shefa kabinetesh e zyrtarë të tjerë të lartë në jetën akademike…

Ai po ashtu kërkon që politika të largohet nga arsimi

Sipas tij, presidenti i vendit dhe kryeministri i shmangen realitetit në arsim me qëllim që të fshehin përgjegjësinë e tyre për gjendjen e krijuar.

“Kosova i ka kapacitetet ta ndryshojë këtë gjendje, por duhen larguar nga arsimi politika dhe shërbimet e fshehta të saj”, thotë Zejnullahu, i cili thotë se testi i PISA-s ka qenë i pritshëm.

“Si mësimdhënës nuk e arsyetoj një reagim të përmasave të një tronditjeje për një rezultat testi që reflekton realisht gjendjen në arsimin e Kosovës. Këtë gjendje e kemi ditur, rezultatin e kemi pritur dhe për këtë kemi kontribuuar të gjithë, qoftë me veprim apo me mosveprim. Sikur ende nuk e kemi të qartë se në përgjithësi arsimi në Kosovë e brenda tij, edhe ne mësimdhënësit, jemi futur në rrugën e vetnënshtrimit nga e keqja. Nga kjo rrugë nuk dilet me reagime histerike e duke qëndruar në paqe me të keqen, e cila u ka krijuar hapësirë të mjaftueshme për përfitime joligjore të gjithëve që kanë ‘fuqi’ e pafytyrësi. Rezultati pastaj nuk duhet të na befasojë”, tha Zejnullahu.