Politikat e BE-së pamundësojnë lëvizjen e lirë të kosovarëve këtë vit

24.10.2019 15:26:55

Kosova e ka të vështirë që deri në fund të vitit të përfitojë lëvizjen e lirë drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Për shkak të politikave të brendshme të Bashkimit Evropian dhe mungesës së kurajës për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor, Kosova ka pak gjasa që këtë vit të përfitojë lëvizjen e lirë drejt vendeve evropiane.

Sipas njohësve të çështjeve ndërkombëtare dhe integrimeve evropiane, Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret mirëpo, vendimi për liberalizimin e vizave është vendim politik dhe në këtë mënyrë, Kosovën së pari Bashkimi Evropian nuk e njeh si shtet madje as edhe pesë vendet anëtare të saj.

Po ashtu Franca është një ndër shtetet që ka qëndrim të prerë sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave dhe është kundër lëvizjes së lirë të qytetarëve kosovarë.

E për këtë, Donika Emini, drejtoreshë ekzekutive e Platformës CiviKos, ka thënë për lajmi.net, se rritja e kërkesave për azil nga qytetarët e Shqipërisë dhe Gjeorgjisë do ta bëj edhe më skeptike Francën.

Ajo thotë se hezitimi i Francës është plotësisht i padrejtë ndaj qytetarëve të Kosovës.

“Duke e parë refuzimin që Franca i bëri për hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë e Maqedonisë Veriore në BE, po ashtu ky shtet ka qenë çdo herë kundër liberalizmit të vizave për Kosovën.  Franca ka shprehur qartë qëndrimin e saj ndaj liberalizimit të vizave me Kosovën. Rritja e kërkesave për azil nga qytetarët e Shqipërisë dhe Gjeorgjisë ka rritur edhe më tej presionin në publik dhe hezitimin në raport me këtë proces. Gjithashtu, Franca për momentin ka filluar iniciativën për ndryshimin e brendshëm të procedurave për aplikim për azil, andaj ka shumë gjasë që ky shtet të mos lejojë marrjen e vendimit për liberalizmin e vizave me Kosovën pa krijuar mekanizmat e brendshëm që nuk do ta bënin të lehtë shfrytëzimin e kësaj të drejte nga Kosovarët për azil kërkim. Ky hezitim është komplet i padrejtë po ashtu edhe kjo frikë ndaj rritjes së migrimit sepse në këtë rast Kosovën po e penalizon azilkërkimi nga Shqipëria e Gjeorgjia dhe jo nga projektime të caktuara që potencialisht parashohin rritjen e migrimit nga Kosova”, ka thënë Emini, e cila shtoi se, Franca nuk pritet të ndryshojë pozicion kundrejt kësaj çështje, së paku jo përgjatë këtij viti.

Emini thotë se gjasat janë shumë të vogla që Kosova këtë vit të marrë liberalizimin e vizave. Sipas saj kjo është për shkak të prioriteteve të BE-së dhe jo për faj të Kosovës.

Duke e parë që Kosova i ka plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave, Emini thotë se Qeveria e re kosovare nuk guxon që të pranojë kritere shtesë e as çështjen e liberalizimit ta ndërlidhë me dialogun.

Gjasat janë shumë të vogla, kjo jo për fajin e Kosovës por për shkak të prioriteteve që ka BE në fund të këtij viti. Në anën tjetër, mund të ndodhë që kjo çështje të votohet nëse veç ndërlidhet me procesin e dialogut, mirëpo Kosova nuk guxon që të ndërlidhë këtë proces me asnjë çështje tjetër politike – siç ka ndodhur me demarkacionin më parë. Andaj, është me rëndësi jetike që institucionet e reja të mos pranojnë asnjë kriter shtesë politik”, deklaroi Emini për lajmi.net.

Ajo thotë se, ka gjasë që Franca të kërkojë sqarime shtesë për kriteret që i ka vendosur BE-ja mirëpo, sipas Eminit, hezitimi për liberalizimin e vizave për kosovarët vije për shkak të hezitimit të përgjithshëm të vendeve të BE-së për lëvizje pozitive ndaj Ballkanit Perëndimor.

“Kurse sa i përket kritereve teknike, ka shumë gjasë që Franca do të kërkojë sqarime shtesë në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kjo pavarësisht faktit që Komisioni dhe Parlamenti veçse e kanë provuar dhe kanë dhënë mendim pozitiv. Institucionet e reja mund të kenë ndikim vetëm në angazhim bilateral diplomatik me vendet anëtare të BE-së, mirëpo nuk besoj që problemi qëndron këtu. Pra, më shumë kemi të bëjmë me hezitim total të BE-së për lëvizje pozitive kundrejt Ballkanit Perëndimor e këtu Kosova ka pozicion edhe më kompleks në raport me BE”, theksoi Emini.

Se Kosova i ka gjasat zero që këtë vit të marrë liberalizimin e vizave, e thotë edhe Artan Murati, ligjërues i së Drejtës të Bashkimit të Evropian.

Murati ka thënë për lajmi.net, se shpreson që të futet në agjendën e Këhsillit të Ministrave çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Faktikisht skenari më ideal për këtë vit do të ishte vendimmarrja pozitive për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, sepse për ndryshe shanset për me pas liberalizim vizave për këtë vit janë zero, nuk mund të hyjë në fuqi çfarëdo lloj vendimi që do t’i liberalizonte vizat për kosovarët për këtë vit. Mirëpo shpresojmë që në takimin e radhës të Këshillit të Ministrave, Kosova do të jetë pjesë e agjendës dhe potencialisht të ketë një votë pozitive”, ka deklaruar Murati për lajmi.net.

Sipas tij, që qytetarët kosovarë të lëvizin lirshëm drejtë vendeve evropiane duhet punë e madhe në lobim sidomos në vendet që nuk janë të bindura që qytetarët e Kosovës meritojnë lëvizjen e lirë.

“Normalisht kjo duhet të kërkojë edhe punë sepse ne duhet të lobojmë te shtetet të cilat nuk janë të bindura se qytetarët e Kosovës do ta respektojnë marrëveshjen e shengenit, ne duhet t’i bindim që kosovarët nuk do ta keqpërdorin lirinë e lëvizjes dhe kësisoj do të jenë persona të përgjegjshëm dhe do ta shfrytëzojnë këtë të drejtë vetëm për arsye qoftë turizmi apo arsye tjera të cilat janë të ligjshme. Mirëpo me faktin që ne nuk kemi qeveri për momentin, ky lobim bëhet edhe më i vështirë sepse qeveria e kaluar ka dështuar totalisht në këtë proces”, theksoi Murati.

Ai thotë se as Ministria e Punëve të Jashtme dhe as ajo e Integrimeve Evropiane nuk janë marrë aq sa duhet me punën e lobimit.

Murati shpreson që institucionet e reja të merren më shumë me procesin e liberalizimit të vizave.

“ Ministria e Punëve të Jashtme nuk është marrë me këtë punë, Ministria për Integrime Evropiane, nganjëherë nuk e ka pasur ndoshta fokusin te liberalizimi i vizave asisoj nuk ka pasur as qasje institucionale për këtë punë. Shpresoj që shumë shpejt do të konstituohet Kuvendi dhe do të votohet Qeveria e re dhe kësisoj do të kemi edhe institucione të cilat do të mund të merreshin me këtë proces sepse nëse mbesim vetëm në mëshirën e shteteve anëtare atëherë, ky proces do të mund të vonohet edhe më tepër”, u shpreh Murati.

Edhe Avni Mazrreku, njohës i çështjeve ndërkombëtare ka thënë për lajmi.net, se është shumë e vështirë që Bashkimi Evropian të marrë vendim pro lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës.

Sipas tij, e gjithë kjo është për shkak të politikave të Bashkimit Evropian dhe mosnjohjen e Kosovës si shtet nga vet BE-ja por edhe nga pesë vendet e saja anëtare.

“Vendimet politike për Kosovën, në këtë rast kërkohet një vendim politik, pra të merret një vendim politik për shkakun se ky vendim merret në Këshillin e Bashkimit Evropian e që normalisht varet nga qëndrimi i shteteve dhe qëndrimet e shteteve gjithmonë janë politike. Është vështirë i parashikueshëm për shkakun e rrethanave që i ka Kosova. Kosova i ka rrethanat dhe raporte të veçanta me Bashkimin Evropian, do me thënë Kosova nuk trajtohet si shtet, por si palë kontraktuale me Bashkimin Evropian. Prandaj duke e pasur parasysh kompleksitetin e përgjithshëm të funksionimit të Bashkimit Evropian, unë nuk kam doza optimizmi fare për këtë vit që do të mund të realizohet ky qëllim i Kosovës”, u shpreh Mazrreku.

Pavarësisht politikave të Bashkimit Evropian, Mazrreku thotë se Kosova me kohë i ka përmbushur të gjitha kriteret e BE-së dhe për këtë gjë nuk mund të penalizohet me lirinë e lëvizjes.

“Sa i përket çështjeve të brendshme të Kosovës, qoftë zgjedhjet e jashtëzakonshme, qoftë përmbushja e kritereve teknokratike, do me thënë Kosova i ka kaluar këto faza dhe nuk ka të bëjë edhe nuk mund të lidhet asnjë lloj prolongimi nga ana e Bashkimit Evropian sa i përket liberalizimit të vizave. Realisht për shkakun se ato kritere që Kosova është dashur t’i përmbush i ka plotësuar dhe ato kritere si të plotësuara janë vlerësuar nga Komisioni Evropian, pavarësisht se Bashkimi Evropian mundet me shpik elemente të reja sa i përket një vendimi të caktuar. Mirëpo nuk ka arsye që të thuhet se Kosova për këtë arsye apo atë arsye nuk mund të përfitojë nga procesi i liberalizimit të vizave këtë vit”, theksoi Mazrreku për lajmi.net.

Tutje ai ka thënë se jo vetëm Franca dhe politika e Bashkimit Evropian për zgjerim, por edhe mosnjohja nga pesë vendet anëtare të BE-së (Sllovakia, Greqia, Rumania, Spanja dhe Qiproja), pamundësojnë që vendimet politike për Kosovën të arrijnë të  jenë pozitive.

“Për Kosovën fatkeqësisht nuk është vetëm problemi dhe qëndrimi i Francës tashmë anti-politike të zgjerimit të Bashkimit Evropian, por problemi kryesor i Kosovës është problem i kamotshëm i Kosovës i cili nënkupton pesë shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën. Dhe në cilin do rast apo çështje kur merret ndonjë vendim i caktuar politik për Kosovën është vështirë e parashikueshme që të merret një vendim pozitiv për shkakun e sistemit të votimit në Bashkimin Evropian. Do me thënë përveç këtyre shteteve që janë kundër Kosovës edhe shtetet e tjera skeptike të cilat në fakt i pamundësojnë vendimet politike eventualisht pozitive për Kosovën”, ka thënë Mazrreku.

Duhet theksuar se Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk e gëzon lirinë e lëvizjes drejt vendeve evropiane, pavarësisht se ka vite që udhëheqësit shtetërorë kanë dhënë data për liberalizimin e vizave.