Shqipëri: Skema e qeverisë mbushi privatët me studentë, korrupsioni arriti majat

24.10.2016 11:39:23

“Ligji i Arsimit të Lartë ka një vit e gjysmë që ka hyrë në fuqi dhe ende nuk janë miratuar aktet nënligjorë të tij”

Zhapaj: Menaxhimi i sistemit u bë nga AKP, por softwari që u përdor ishte i një kompanie private dhe i pa parashikuar nga ligji

Skema e pranimeve këtë vit në universitet, përtej çdo debati të ngjyrosur nga politika, nuk mund të mohohet se solli problematika të shumta. Në fakt e gjithë kjo situatë e ka zanafillën që nga miratimi i ligjit për Arsimin e Lartë, i cili hasi në kundërshtinë e fortë në atë kohë, jo vetëm të studentëve, por edhe të profesorëve dhe akademikëve të ndryshëm. Ndërkohë tek pranimet në universitet, këtë vit u vu re një kaos i vërtetë me maturantët, i cili nisi nga paqartësitë e shumta të krijuara nga mungesa e transparencës e deri tek problematikat me regjistrimin dhe kuotat bosh. Pak ditë pasi maturantët u ankuan dhe nisën protestat kundrejt skemës së pranimeve në universitet, kryeministri Rama deklaroi se vetëm dhjetë ditë do të mjaftonin për t’i parë shumicën e studentëve në universitet. Por tashmë kur ka kaluar thuajse një muaj nga kur nisi procesi, situata duket ende problematike. Mund të themi pa dyshim se “risia” më e madhe e këtij viti akademik, ndryshe nga 26 vite të kaluara, është mbingarkese me studentë e universiteteve privatë dhe auditorët bosh të universiteteve publike. Shumë prej ekspertëve të fushës kanë nënvizuar se nga ajo që u tregua me skemën aktuale, u vërtetua se sistemi i kaluar Meritë-Preferencë ishte më transparent, më efikas dhe më i mirë menaxhueshëm. Po ashtu ekspertët kanë theksuar se ndryshimet e sistemit u kryen për të favorizuar qartazi arsimin privat, në të gjithë nivelet e tij. Lidhur me këtë çështje, gazeta “standard” mori opinionin e Albano Zhapaj, pedagog dhe Doktor i Shkencave të Edukimit, njëkohësisht ish Shefi i Politikave të Arsimit të Lartë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.

 Zoti Zhapaj, ju e keni trajtuar gjerësisht problematikën e pranimeve në universitet, ku shumë muaj më parë kishit folur edhe për kaosin e krijuar këto kohë me pranimet në universitet. Si u arrit në këtë situatë sipas jush? 

Problemi kryesor i situatës së tanishme kaotike, në fakt, ka qenë i paralajmëruar qysh me hartimin dhe më pas miratimin e ligjit të ri të arsimit të lartë. Ligji për mendimin tim ka shumë pika të cilat janë antikushtetuese.

Së pari ligji i jep të drejtën qeverisë të përcaktojë çdo vit mesataren ose pragun e notës hyrëse në universitet, dhe këtë vit pamë se nota më e ulët që mundëson hyrjen në universitet është nota gjashtë. Kushtetuta e Shqipërisë në nenin 57, pika 1, përcakton qartë se “Kushdo ka të drejtën për arsimim”. Që këtu fillon jashtë ligjshmëria dhe diskriminimi i qytetarit të një vendi demokratik. Në asnjë vend të Evropës nuk ndodh kjo gjë.

Së dyti ky ligj ka pothuaj një vit e gjysmë që ka hyrë në fuqi dhe ende nuk janë miratuar aktet nënligjorë të tij, siç janë Vendimet e Këshillit të Ministrave, të cilët pastaj përbëjnë bazën orientuese mbi të cilën Ministria e Arsimit të hartonte udhëzimet e nevojshme. Këtu ka ndodhur e kundërta, janë hartuar udhëzimet direkt nga ligji, gjë që s’ka pas ndodhur ndonjëherë në historinë e arsimit të lartë.

 A mund të themi se vonesa e akteve nënligjorë, është ajo që e krijoi më së shumti kaosin?

Pa dyshim që po. S`ma do mendja të ketë ndonjë shqiptar apo shqiptare që të mos e ketë marrë vesh se qeveria proklamoi fort se Matura Shtetërore do të ishte dalëse, dhe pranimet do ti bënte vetë universiteti. Ekzekutivi i Arsimit do të ishte koordinues i procesit të pranimeve të reja në universitete përmes Qendrës së Shërbimeve Universitare (QSHA) sipas përcaktimeve të ligjit të ri. Kjo QSHA ende nuk është krijuar dhe në datë 6 Tetor të këtij viti kishte afatin e fundit ligjor për t`u themeluar me akt nënligjor, pra i rikthehemi pa ligjshmërisë edhe këtu.

Por çfarë ndodhi: Agjencia Kombëtare e Provimeve (AKP), agjenci nën juridiksionin e Ministrisë së Arsimit shpërndan nëpër shkolla një formular aplikimi me dhjetë preferenca, të ngjashëm me formularin e famshëm A2 që përdorej me sistemin Meritë-Preferencë. Kjo është një jashtë ligjësi tjetër, pasi AKP s`ka asnjë tagër ligjor ta bëjë këtë gjë. Udhëzimi që doli për këtë formular, përveç se i paligjshëm, doli në limitet kohorë të mundshëm, por me një pabesi dhe paligjshmëri tjetër më të madhe; fut në procesin e aplikimit edhe universitetet private. Me urdhër të brendshëm u trysnua fort nëpër shkollat e mesme që maturantët të plotësonin ndër dhjetë preferencat edhe degë të universiteteve private. Një tjetër informacion i munguar për maturantët ishte edhe mungesa e informacionit mbi kuotat për secilën degë. Pra nuk ka pasur një tabelë përmbledhëse ku të pasqyroheshin kuotat sipas degëve, qoftë në publik apo privat. Ky informacion i ka çorientuar maturantët.

Kryeministri Rama dhe Ministrja e Arsimit Nikolla kanë deklaruar se ky është një proces ku fitojnë vetëm ata që meritojnë. Si e shihni ju këtë qëndrim?

Është vërtetë e çuditshme të mendosh dhe aq më tepër të besosh, se si ky sistem paska akomoduar maturantët sipas meritës, kur në një degë të caktuar kanë fituar maturantë me mesatare 8 – 8.5 dhe nuk kanë fituar maturantë me mesatare 9 – 9.7. Matematika nuk është opinion, dhe shifrat nxjerrin zbuluar argumentet e Kryeministrit dhe të Kreut të Arsimit. Një shembull i thjeshtë: tek dega Informatikë Ekonomike tek Universiteti i Tiranës për herë të parë këtë vit kishin hyrë maturantë me mesatare poshtë notës nëntë. S’kishte ndodhur kurrë më parë. Pra qeveria e dinte që procesi po prodhonte jo meritokracinë.

Të bëjmë një listim sintetik të atyre çfarë kanë ndodhur për të dhënë idenë se sa skemë e mirë menduar ka qenë kjo e pranimeve në Universitete.

  • Skema e pranimeve filloi tek krijimi i formularit të aplikimit, përveç se e pa ligjshme, është bërë në afatet limite të kohës, kur familjet shqiptare dhe fëmijët e tyre ishin me pushime. Kjo gjë pritej sepse kjo qeveri kështu ka vepruar qysh sa erdhi në pushtet, pra që në vitin akademik 2014-2015.
  • Menaxhimi i sistemit u bë nga ana e Agjencisë Kombëtare të Provimeve, edhe kjo e pa përcaktuar në ligj. Softwari që u përdor nga AKP ishte i një kompanie private dhe i pa parashikuar nga ligji.
  • Kriteret e përcaktuara nga universitetet nuk ishin publike, dhe shumë prej tyre i kanë bërë kriteret në orët e fundit. Senatet e rinj të universiteteve, mbas zgjedhjeve të reja, ndryshuan kriteret e pranimit.
  • Futja në sistem e universiteteve private u bë qëllimisht dhe ky është një hap tjetër që ligji nuk e përcakton. Si mund të futësh në një garë meritokracie një kandidat për jurist në universitetin shtetëror ku tarifa vjetore është 20 mijë lekë të reja, me një kandidat tjetër për jurist në universitetin privat ku tarifa vjetore është 2500 apo 3000 euro? Shteti  s’mund të ofrojë apo detyrojë qytetarin të blejë të njëjtin produkt me çmime tmerrësisht të ndryshme.  Ligji për konsumatorin ka një pikë për këtë gjë dhe Kryeministri s`ma do mendja se e ka lexuar.
  • Shpallja e fituesve nxori në pah problemet e sistemit. Maturantë ekselentë nuk e panë veten asgjëkundi. Kjo bëri që në fazën e dytë shumë maturantë të aplikonin tek privati.

Përfundimisht pamë se tek privati kuotat ishin realizuar 80-90% ndërsa tek shteti kjo përqindje të ishte, në disa degë, përqindja e kuotave të paplotësuara.

Pra, për t’ju përgjigjur pyetjes suaj, ku qëndron meritokracia që proklamon Kryeministri këtu?

Në fakt disa drejtues universitetesh e kanë pohuar që kanë mbetur mjaft kuota të parealizuara. Si mendoni ju se do të plotësohen këto kuota, a do të ketë raunde të tjerë regjistrimi?

Unë mendoj se kjo është skema më djallëzore dhe më korruptive e prodhuar ndonjëherë në arsimin shqiptar. Mbushi auditorët e universiteteve privatë me studentë dhe zbrazi auditoret tradicionalë të universiteteve shtetërorë, ato auditorë ku kanë qenë ulur pjesa dërrmuese e pushtetarëve tanë.

Në vazhdën e pa ligjshmërive dhe pabesive të qeverisë në lidhje me pranimet e reja në universitete, ka një zhvillim të ri porsa i përket menaxhimit të kuotave të mbetura. Qeveria ka futur në lojë Rrjetin Akademik Shqiptar (RASH), një agjenci kjo që po menaxhon tashmë sistemin e pranimeve dhe regjistrimeve, duka ja hequr këtë të drejtë AKP-së që e menaxhoi në hyrje. Ne tashmë jemi mësuar, fatkeqësisht, të shikojmë dhe pranojmë pa ligjshmëritë e bëra në drejtim të arsimit, por kjo e RASH është e një paligjshmërie më të padëgjuar.

Rrjeti Akademik Shqiptar një agjenci që vegjeton prej vitesh, pa asnjë status apo produkt të veçantë, përveç se emrit që ndërron çdo 2 vjet, është një agjenci e krijuar nga fondet e “Cooperazione Italiana”, me një qëllim shumë të ndryshëm nga sa është katandisur.

Nga informacionet që rrjedhin nga brenda sistemit ky Rrjeti Akademik Shqiptar po bën një lojë sa të pistë aq edhe të rrezikshme, pasi po ul numrin e kuotave bosh të mbetura në universitetet publike dhe po rrit numrin e kuotave të pranimit në universitetet privatë. Kjo është pasojë direkte e mos informimit paraprak në fillim të procesit, se sa kuota janë dhe se si janë të shpërndara.

Ka informacion që nga 150 kuota të një dege të caktuar në Universitetin e Tiranës (dhe ky është vetëm njëri prej shumë rasteve) kanë mbetur pa plotësuar 60 kuota. Rrjeti Akademik Shqiptar, që natyrisht s’ka tagër të ulë apo të ngre kuota, të paktën vetvetiu, nga këto 60 kuota të lira ka hequr 30 kuota. Pra fakultetit nga 150 kuota që ka kërkuar dhe i janë miratuar, tani i hiqen 30 kuota dhe mbetet me 120 kuota. Kjo bën që me plotësimin e vendeve bosh në këtë degë të universitetit të shtetit, të regjistrohen 30 studentë më pak.

Paralelisht në disa universitete private Rrjeti Akademik Shqiptar ka rritur numrin e kuotave për degë të caktuara, duke bërë kështu që të shtohen të regjistruarit tek privati. Unë e pata paralajmëruar këtë fakt qysh në muajin korrik, kur nuk po bëheshin publike kuotat për secilën degë, dhe ja ku po del se edhe kjo paska qenë e mirëmenduar.

Pra nga sa pohoni, duket kjo skemë ka qenë e mirëmenduar për të ndihmuar privatin, apo ka diçka tjetër mbas kësaj?

Padyshim që po. Vonesa e udhëzimeve për të tretin vit radhazi, si dhe ndërtimi i kësaj skeme korruptive të këtij kalibri,  ishte shenjë e qartë e krijimit të kaosit informativ, me qëllim destabilizimin e ekuilibrit të përzgjedhjes së degëve nga ana e të rinjve dhe familjeve të tyre, në mënyrë që këta të fundit, nga frika se mos mbesin pa shkollë,  të shkojnë dhe aplikojnë tek privati.

Por unë personalisht mendoj se kjo skemë është vetëm fillimi i një mashtrimi të madh, i cili lidhet jo vetëm me zhvatjen e parave të familjeve shqiptare, por synon shuarjen e rolit të  universiteteve publike dhe në një të ardhme të afërt mbylljen e tyre. Llogjika se si po lëviz qeveria mbi reformën në arsimin e lartë, po i jep një sens asaj që me të vërtetë qeveria kërkon të realizojë. Ligji i ri i Arsimit të Lartë, në kapitullin famëkeq me numër 12, përcakton financimin e universiteteve private.

Këtu e ka zanafillën edhe kaosi i krijuar. Jo rastësisht studentët cilësorë nuk fitojnë në shtet dhe fitojnë në privat. Jo rastësisht universiteteve private u janë rritur kuotat, mendoni që raporti i studentëve Publik-Privat para tre vjetësh ka qenë 85% publiku dhe 15% privati. Sot me pranimet e këtij viti jemi në raportin 50 me 50, pra janë regjistruar tek privati po aq studentë sa janë regjistruar tek shteti. Kjo falë këtij sistemi që proklamohet si meritokratik.

Mos mendoni ju se rastësisht nuk është kryer akreditimi i shumë përfolur i universiteteve, nga agjencia e famshme angleze? Absolutisht jo, gjithçka është pjesë e një plani të mirë strukturuar të qeverisë, për fat të keq, jashtë mureve të Ekzekutivit të Arsimit.

Për ta përmbledhur dhe thjeshtuar idenë: financimi i universiteteve sipas ligjit të ri lidhet ngushtë me akreditimin e tyre. Kur të ndodhë akreditimi, natyrisht që, universiteti privat do të gjendet me numër të lartë studentësh (tregues cilësie), me studentë të ardhur me mesatare të lartë nga Matura Shtetërore (tjetër tregues cilësie), me shkollë doktorate e me staf akademik me grada e tituj të nevojshëm dhe me kërkim shkencor cilësor (shikoni numrin e konferencave tek privati dhe krahasojeni me shtetin).

Pra sipas kësaj logjike në garën e akreditimit cilësia tek universitetet privatë do jetë superiore se tek universitetet publikë, dhe me “të drejtë” qeveria, në zbatim të ligjit të arsimit të lartë, do t`u thotë qytetarëve që financohet më i miri. Askush s`ka për të gjetur asnjë argument kundër, dhe askush s`ka për ta ndalur qeverinë të financojë universitetet private, dhe të mbylli ato universitete që sipas saj nuk janë rentabël. Shikoni se si u mbyllën filialet e Kukësit dhe Sarandës dhe do e kuptoni që zhbërja e universitetit publik sapo ka filluar.

Mirë e ka thënë Kryeministri, s’keni parë gjë akoma. Ky dimër është vetëm fillimi i një skeme korruptive dhe shkatërruese e sistemit arsimor publik, dhe ska për të përfunduar këtu. Ju them me bindje se sikur i madhi Ismail Kadare të kishte kohë të merrej sadopak me analizën e këtij sistemi, me siguri që në përfundim të saj do të kishte botuar një libër me titullin “Dimri i mashtrimit të madh”.

Me atë c’ka ju analizoni dhe situatën e krijuar këtë vit, a mund të flasim në të ardhmen për një “thuajse” mbyllje të sistemit publik?

Fatmirësisht unë nuk hyj tek kategoria e njerëzve pesimistë. Di të them me siguri se qeveria nuk do të ndalet në financimin e universiteteve private, dhe kjo është e dukshme nga mënyra se si po vepron. Çdo gjë në gjykimin tim varet nga jetëgjatësia e qeverisë. Sa më gjatë të jetojë, aq më shumë janë gjasat që të arrijë qëllimet e veta në këtë fushë.

Por ju siguroj se, në nivel dëmesh që i ka sjellë sistemit, edhe kaq sa ka bërë, ka bërë shumë. Mos të harrojmë se në arsim, dëmi i bërë në një vit, kërkon pesë vjet të tjerë të riparohet, mendoni pastaj se si shumohet koha e riparimeve çdo vit që kalon. Ka ardhur koha që dikush të përgjigjet për këtë kaos dhe autorët të përballen me ligjin.

Situata është shumë kritike, por gjykuar nga problemet e tjera të shumta që ka Shqipëria, kjo nuk po perceptohet aq sa duhet. Mendoj se denoncimi i kësaj skeme dëmtuese për arsimin dhe shoqërinë shqiptare, tashmë nuk është vetëm detyrë e intelektualëve,  sepse dihet që qeveria e ka veshin e shurdhër për ta, por kërkon mbështetje të gjerë edhe nga politika, në mazhorancë apo opozitë, si edhe nga faktori ndërkombëtar, nëpërmjet përfaqësive diplomatike që kanë këtu.