Kurteshi pas mbledhjes së Komisionit të Arsimit për grevën: Nuk u morë ndonjë vendim, por secila palë tregoi qëndrimet e tyre

15.01.2019 16:36:13

Komisioni parlamentar për arsim sot mbajti mbledhjen lidhur me grevën e përgjithshme të institucioneve arsimore ku prezent ishin dhe Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi si dhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

Kryetari i këtij komisioni, Ismajl Kurteshi në një prononcim për Telegrafin ka thënë kjo mbledhje u mbajt me qëllim që palët të merren vesh për një zgjidhje, në mënyrë që mos ta pësojnë fëmijët.

Sipas tij, në këtë mbledhje nuk u morë ndonjë vendim, por secila palë tregoi qëndrimet e tyre.

Ai tregoi se Sindikata nuk lëviz nga qëndrimi për pagat, dhe se Ministria është duke bërë përpjekje për një zgjidhje.

“Nuk ka qenë mbledhje ku janë marr vendimet. Kemi biseduar me Sindikatën dhe me Ministrinë e Arsimit, dhe i kemi lutur që nuk kemi ndonjë mundësi tjetër që sa më parë të merren vesh në mënyrë që të mos e pësojnë fëmijët. Kjo ka qenë esenca e kësaj mbledhje. Nuk morëm ndonjë përgjigje. Sindikata tha se pa na i plotësuar kërkesat nuk lëvizin nga qëndrimi. Ministri tha se po bëjnë përpjekje për të bërë zgjidhje”, ka thënë Kurteshi.

Ndryshe, Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës së Kosovës nga 14 janari ka hyrë në grevë të përgjithshme shkaku i mos plotësimit të kërkesave nga ana e Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave.