Në Kamenicë, Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli: Shtëpia politike e Rugovës është rritur!

07.06.2017 17:00:07

“Si gjithmonë besnik ndaj kauzës tonë politike, tash shtëpia jonë është rritur, jemi së bashku në familjen tonë të madhe Rugoviane. Prandaj me datën 11 qershor, dilni masovikisht dhe votoni koalicionin i cili përbëhet nga njerëzit që do ta jetësojnë ëndrrën e qytetarëve për një Kosovë të barabartë për të gjithë”.

Kështu ka thënë sot Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, në tubimin zgjedhor të koalicionit AKR-LDK-LD-Alternativa, të mbajtur në Kamenicë.

Duke i falënderuar qytetarët e pranishëm për përkrahjen e madhe, Pacolli ka cituar presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

“Presidenti Rugova gjithmonë thoshte, për të pasur shtet të qëndrueshëm nevojitet liri, pavarësi dhe mirëqenie ekonomike, ai ka pasur të drejtë, sepse nuk mund të ketë pavarësi të plotë pa mirëqenie ekonomike”, ka thënë Pacolli.

Ai ka shtuar se koalicioni AKR-LDK-LD-Alternativa, do ta vazhdojë implementimin e idesë së Ibrahim Rugovës.

Pacolli me këtë rast ka pohuar se, këtë ide mund ta jetësojë vetëm koalicioni i njerëzve të punës dhe të dijes, e jo ata që e kanë dëshmuar të kundërtën.

“Asnjëri nga ne nuk është me skandale dhe procese e akuza të ngritura kundër nesh. Lista jonë është e pastër si loti dhe jo si lista tjetër e cila ka njerëz të akuzuar dhe të implikuar në krim, prandaj votoni koalicionin tonë, listën e njerëzve të pastër, punëtorë dhe të devotshëm”, ka thënë Presidenti i AKR-së Behgjet Pacolli në Kamenicë.