Presidenti i Brazilit u bashkohet protestave kundër izolimit

20.04.2020 17:13:10
Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, është kritikuar, pasi u është bashkuar protestuesve që kërkojnë heqjen e kufizimeve, të vëna për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Bolsonaro është përplasur javëve të fundit me guvernatorët e shteteve që kanë ndërmarrë masa izolimi, duke i cilësuar ato si “diktatoriale”.

Duke iu adresuar protestës, të dielën në Brazilia, Bolsonaro ka thënë se protestuesit janë “atdhetarë” që mbrojnë liritë individuale.

Deri të dielën, Brazili ka pasur mbi 38,000 raste të konfirmuara me koronavirus, që është numri më i lartë në Amerikën Latine.

Mbi 2,400 pacientë, ndërkaq, kanë humbur jetën.

“E gjithë bota është e bashkuar kundër koronavirusit, por në Brazil duhet të luftojmë koronavirusin dhe virusin e autoritarizmit”, ka shkruar në një postim në Twitter Rodrigo Maia, kryetar i Dhomës së Deputetëve të Brazilit, njëherësh kritik i Bolsonaros.