Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi: S’ka ‘Shqipëri të Madhe’, BE-ja ta trajtojë Kosovën si shtet

25.04.2017 17:38:15

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur edhe një herë për krijimin e Shqipërisë së Madhe, kësaj here duke u marrur me propagandën siç e ka cilësuar ai të serbëve.

Sipas tij, kjo propagandë serbe po bëhet për dy arsye, transmeton lajmi.net

“Sigurisht, riaktualizimi i kësaj propagande të vjetër të kohës së Millosheviqit nuk është aspak i rastësishëm. Kjo propagandë e Serbisë, ndër të tjera ka dy qëllime thelbësore. Së pari, të legjitimoj funksionimin e Serbisë së Madhe të krijuar përmes gjenocidit të kryer në Bosnje dhe Hercegovinë. Dhe së dyti, t’i nxis elementet nacionaliste dhe ekstremiste për të destabilizuar dhe cenuar integritetin territorial të Kosovës. Serbisë asnjëherë nuk i ka penguar Shqipëria si shtet i pavarur dhe sovran”, ka shkruar presidenti i Kosovës në facebook.

Ai e ka akuzuar edhe Bashkimin Evropian, që sipas Thaçit po tregohet naive dhe po bie pre e propagandës së Serbisë.

“Në takimet e dialogut në Bruksel, përfaqësuesit e Serbisë pa fije turpi kanë thënë disa herë se Serbia do të preferonte të dialogonte me Shqipërinë dhe jo me Kosovën. Por, një gjë e tillë nuk ka për të ndodhur kurrë, sepse Kosova shtet i pavarur dhe sovran është realitet i përhershëm. E gjithë kjo fushatë e orkestruar nga Serbia është e përgatitur nga protagonistët e njëjtë, të cilët 20 vjet më parë kanë ushtruar zanatin e njëjtë. Fatkeqësisht, BE-ja me naivitetin e saj të zakonshëm në raport me Kosovën, po bie pre e kësaj propagande të Serbisë”, ka shtuar Thaçi.

Ai krejt në fund ka shkruar se pret nga Bashkimi Evropian që Kosovën ta trajtojë si shtet të pavarur dhe sovran, e të mos manipulohet nga Serbia.

“Për rrjedhojë, nuk është rastësi që sjelljet dhe deklaratat e disa zyrtarëve të BE-së përputhen me ato të zyrtarëve të Serbisë kur i referohen Kosovës. Unë nuk pres prej Serbisë të heq dorë nga ëndrrat e saj për përpjekje të serishme për rikthimin e Kosovës nën regjimin e saj, edhe pse e dinë që kjo është e pamundur.Mirëpo, pres nga BE- ja që ta trajtojë Kosovën si shtet të pavarur e sovran dhe të mos manipulohet kaq lehtë nga Serbia. HTH”, përfundon postimi i Thaçit në facebook.