Presidenti: Organet e rendit t’i sjellin para drejtësisë sulmuesit e Arbanës

13.05.2017 09:50:48

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka reaguar pas sulmit fizik ndaj Arbana Xharrës.

Ai ka thënë se me këtë sulm të ulët nuk janë cenuar vetëm Arbana dhe familja e saj, por edhe parimet dhe vlerat demokratike mbi të cilat po e ndërtojmë shoqërinë tonë.

“Jam thellësisht i tronditur dhe i shqetësuar me sulmin kundër Arbana Xharrës. Është krejtësisht i papranueshëm dhe i dënueshëm përdorimi i dhunës dhe asgjë nuk e arsyeton atë. Si shoqëri nuk bën të lejojmë që dhuna të bëhet mjet i shprehjes së pakënaqësisë sonë. Me këtë sulm të ulët nuk janë cenuar vetëm Arbana dhe familja e saj, por edhe parimet dhe vlerat demokratike mbi të cilat po e ndërtojmë shoqërinë tonë. Organet e rendit duhet ta zbardhin në tërësi rastin dhe t’i sjellin sulmuesit para drejtësisë”, ka shkruar presidenti Thaçi.