Prishet “mallkimi”, Anglia në gjysmëfinalet e Botërorit pas 28 vitesh

07.07.2018 19:26:45

Anglia prish “,mallkimin” e çerekfinaleve dhe 28 vite që pas Botërorit të 1990-s, arrin që të kualifikohet për në gjysmëfinalet e Kupës së Botës, duke hedhur zyrtarisht kandidaturën për të marrë në shtëpi trofeun nga Rusia.

“Tre Luanët” e drejtuar nga Southgate nuk e vunë asnjëherë në diskutim fitoren përballë Suedisë pa yje në kampin e saj. Forca fizike e nordikëve nuk dukej e njëjta me atë të ndeshjes përballë Meksikës dhe Zvicrës, ku shkëlqyen, pasi Anglia e shumoi stabilitetin e shfaqur prej tyre.

Kombëtarja e Anglisë u shfaq tepër e fortë dhe duket se profecia e trajnerit Southgate për kupën që “po vjen në shtëpi” duket se po përmbushet.

“Tre luanët” në 45 minutat e para të takimit treguan një futboll krijues dhe agresiv duke dominuar në çdo cep të fushës.

Anglia hyri në dhomat e zhveshjes me rezultatin 1-0 në favor të saj, pas një goli të bukur në minutën e 30’, shënuar me kokë nga Harry Maguire, i cili çoi topin në rrjetë pas një goditje nga këndi.

Ndërkohë asi i City-t, Raheem Sterling humbi një mundësi të lavdishme për të dyfishuar epërsinë e Anglisë.

Suedia provoi të ndryshonte faqe në nisje të pjesës së dytë, por u ndëshkuan nga ylli i Totenham, Dele Alli në minutën e 58’.

Edhe 45-minutëshin e dytë kombëtarja ishullore dominoi duke vendosur diktatin e vetë në fushë dhe me rezultatin 2-0 shkon në gjysmëfinale ku pret fituesin e çiftit Rusi-Kroaci.