Pritet raport i veçantë nga Shërbimi Korrektues për Deharin

06.11.2016 14:44:03

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj, i tha Radios Evropa e Lirë, se zyrtarët e Shërbimit Korrektues tashmë janë në Prizren dhe po interesohen për sqarimin e rastit të vdekjes së veprimtarit të LVV-së, Astrit Dehari, në burgun e Prizrenit.

“Ende nuk është bërë obduksioni. Ende nuk kemi se çka të themi. Një ekip i shërbimit korrektues është atje. Ata dalin me një raport të veçantë. Sot kam drejtuar edhe një ekip tjetër që t’i hetojnë rrethanat”, tha shkurt Zogaj.

Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë, nëpërmjet një komunikate, deklaroi se me qëllim të, siç tha, garantimit të transparencës në hetimin e rastit, ka marrë vendim që t’ia mundësojë, ‘përfshirjen e ekspertit të kërkuar nga familjarët e të ndjerit Dehari, në cilësinë e vëzhguesit në procesin e autopsisë’.

Gjatë ditës së diel, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, deklaroi për Radion Evropa e Lirë se Prokuroria dhe ekipet përkatëse, kanë kryer të gjitha hetime në bazë të rregullave për vdekjen e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, në burgun e Prizrenit.

Dehari ndodhej nën masën e paraburgimit, pasi u arrestua javë më parë me akuzën për përfshirje në sulmin me armë zjarri mbi ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.