Sarandë, përdoruesi i drogës vrau punonjësin e karburantit për lekët; arrestohet

06.11.2016 15:03:48

Policia bën të mundur kapjen e autorit të vrasjes në Qafë Gjashtë, si dhe arreston  shokun e tij për përkrahje të autorit të krimit. Në  pranga kanë rënë shtetasit Arqilea Koçi, 27 vjeç, banues në Qeparo dhe Mihal Leka, 33 vjeç,  banues në Sarandë.

Policia ka bërë kapjen dhe arrestimin e autorit Arqilea Koçi, brenda një hoteli, ngjitur me lokal “Pa…”, në lagjen nr.4 Sarandë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në dhomën e hotelit ku ka qëndruar autori, janë gjetur një pjesë të parave të vjedhura në pikën e karburantit si dhe një fishek çifteje në rrobat e autorit.

Gjithashtu, Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin Mihal Leka, për “Përkrahje të autorit të krimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Mikal Lekës, Policia ka gjetur armën e gjahut “Çiften”, motorin dhe skafandrën, si dhe një pjesë të vogël me lëndë narkotike.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele në Sarandë. Burime nga policia raportojnë se rreth orës 03:55, në lagjen “Qafë Gjashtë” të Sarandës, në një pikë karburanti, një person i armatosur me armë gjahu, ka shkuar me qëllim për të vjedhur dhe ka qëlluar me çifte punonjësin e kësaj pike, shtetasin Artan Hoxha, 44 vjeç, banues në Qafë Gjashtë. Hoxha për shkak të plagëve të rënda ka ndërruar jetë rrugës drejt Spitalit të Sarandës.

Dyshohet se autori ka shkuar me një motor të kuq dhe ka vjedhur një sasi parash prej rreth 60.000  të rinj. Sipas policisë, autori i vrasjes ka qenë i maskuar me skafandër në kokë.

Disa orë më vonë, policia ka identifikuar autorin e dyshuar të vrasjes në Qafë Gjashtë, shtetasin me inicialet A.K., 27 vjeç, banues në Sarandë, i cili u shpall në kërkim. Dyshohet se ky shtetas është edhe përdorues i lëndëve narkotike dhe po punohet për kapjen e tij.