Procesi mësimor në Gjimnazin e Tetovës vazhdon me dy ndërrime, tërhiqet vendimi!

07.09.2016 16:27:31

Komuna e Tetovës e ka tërhequr vendimin që procesi arsimor në gjimnazin “Kiril Pejçinoviq” të zhvillohet në tre ndërrime.

Komuna e Tetovës në koordinim me drejtorin e gjimnazit Namikqemal Mustafa dje kishin sjellur vendim që procesi arsimor në gjimnazin e Tetovës të mbahet në tre ndërrime. Akt ky që u përcoll me reagime në opinionin dhe bojkot të mësimit nga profesorët e gjimnazit.

Informacionin e ka vërtetuar profesoresha Hatije Hetemi.

“Dje, vendimin për zhvillim të mësimit në tre ndërrime e ka sjellë kryetari i Komunës në koordinim me drejtorin. Pas bojkotit të profesorëve drejtori është takuar me kryetaren e Komunës dhe gojarisht na ka informuar se tërhiqet vendimi dhe se procesi arsimor vazhdon me dy ndërrime”, sqaroi për Portalb profesoresha Hetemi.

Nga sektori për marrëdhënie me publikun njoftojnë se procesi arsimor në Tetovë po zhvillohet normalisht.

“Komuna e Tetovës është e fokusuar në problemet e qytetarëve. Në gjimnazin Kiril Pejçinoviq procesi arsimor zhvillohet normalisht. Nuk do të zhvillohet mësim në tre turne, por do të vazhdohet si deri më tani, në dy turne”, sqaruan për Portalb nga Komuna.

Informacioni me dokumentin se në gjimnazin e Tetovës do të zhvillohet proces arsimor në tre ndërrime ka hasur edhe në reagimin e Lëvizjes Besa.

“Vendimi i kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, me përkrahjen e drejtorit të gjimnazit të Tetovës, Namikqemal Mustafa që në gjimnazin “Kiril Pejçinoviq” të Tetovës të punohet në tre turne, kjo si kërkesë e paraleleve me mësim në gjuhën maqedonase – me arsyetimin që nxënësit maqedonas të jenë në një ndërrim pa paralelet me nxënës shqiptarë, është vendimi më skandaloz dhe mbase më i dëmshëm në historinë e gjimnazit dikur shumë të famshëm të Tetovës”, thuhet në reagimin e partisë.

Ata thonë se vetëm për t’ju krijuar komoditet nxënësve maqedonas, kryetarja e Komunës së bashku me drejtorin e gjimnazit po e shkatërrojnë gjimnazin më të suksesshëm në Maqedoninë veriperëndimore.

“Puna në tre 3 turne nuk arrin efektin e duhur dhe cilësinë e kërkuar në procesin edukativo arsimor, ngase – sipas këtij vendimi – orët mësimore janë shkurtuar në 30 minuta, ndërsa brenda kësaj kohe mësimdhënësit nuk do të kenë mundësi të arrijnë ta realizojmë planin mësimor në tërësi. Lëvizja BESA konsideron se me një veprim të këtillë me qëllim dhe me vetëdije të plotë po shkatërrohet procesi mësimor në gjimnazin e Tetovës “Kiril Pejçinoviq”, ndërsa të vetmit që duan ta ndjejnë dobinë e këtij vendimi janë nxënësit maqedonas, që nuk do të mësojnë bashkë me nxënësit shqiptarë në këtë shkollë. Ky vendim e imponon pyetjen se kujt i pengojnë nxënësit shqiptarë dhe a po fillon partia shqiptare në pushtet t’i ndajë nxënësit e shkollave në baza etnike? Siç jemi të informuar, kryetarja e Komunës së Tetovës e mori këtë vendim pasi që nxënësit maqedonas bashkë me profesorët e tyre, që janë vetëm 3 paralele, në fillim të vitit shkollor 2016/2017 përpara Komunës së Tetovës organizuan protesta me këtë kërkesë? A mos ka qenë edhe ky premtim, për segregacionin e nxënësve në baza etnike, çelës i fitores së saj në zgjedhjet e fundit lokale?

Lëvizja BESA këtë veprim të Komunës së Tetovës e gjykon si antiligjor, i cili do ta dëmtojë procesin arsimor në gjimnaz, me ç’rast do të humbin nxënësit shumicë të kësaj shkolle, por do të jetë rrënim serioz edhe i bashkekzistencës etnike në frymë të Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni.