Procesi mësimor në Kosovë do të fillojë normalisht, gripi sezonal nuk është alarmant

04.01.2017 16:06:07

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik Naser Ramadani, bëri të ditur për lajmi.net se gripi sezonal nuk paraqet asnjë problem në vijimin e mësimit normalisht nëpër shkolla.

“Kjo është gjendje normale, gripi sezonal nuk është alarmant në vendin tonë që të shpallet epidemi, çdo gjë po shkon në rregull”, tha ai.

Sipas tij, masat për parandalimin e këtyre viruseve janë ndërmarrë me kohë.

Në tetor të vitit 2016 janë bërë vaksinimet dhe janë parandaluar simptomat.

“Në tetor janë bërë vaksinimet, gripi i tanishëm është në gjendje normale sezonale, edhe gjysmëvjetori i dytë do të fillojë me rregull”, tha Ramadani për lajmi.net.

Pushimi dimëror do të përfundojë javën që vjen, kështu që fëmijët do të kthehen në shkollë pa ndonjë problem.