Prof. dr. Muhamet Mustafa reagon ndaj dezinformatave mediatike lidhur me takimin e Komisionit të përbashkët parlamentar PE – Kosovë

26.11.2016 11:58:14

Prof. Dr. Muhamet Mustafa, kuvendar dhe kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, që ishte bashkë me delegacionin e Kuvendit të Kosovës në Stradburg, nëpërmjet një postimi ka reaguar ndaj dezinformatave që medie dhe portale të ndryshme kanë përhapur lidhur me këtë aktivitet diplomatik të Kuvendit të Kosovës. Në reagimin e tij, z. Muhamet Mustafa ka sqaruar se ky takim është takimi i dytë i Komisionit për Stabilizim që është i përbashkët ndërmjet Parlamentit Evropian dhe Kuvendit të Kosovës, dhe nuk është e vërtetë se ka marr vendime të ndryshme. Po ashtu, lidhur me vdekjen e Astrit Deharit, ka sqaruar se Komisioni ka shprehur ngushëllime dhe ka kërkuar që të kryhen hetime të plota.

Ky është reagimi i plotë i prof. dr. Muhamet Mustafës:

“ÇFARE ISHTE TAKIMI NE  STRASBURG

Një mbledhje e Komisionit (të përbashkët të Kuvendit të Kosovës dhe Parlamentit Evropian) për Stabilizim  që u mbajt gjatë kësaj jave ( te mërkurën dhe të enjten) u prezentua  me shumë mangësi në opinionin e Kosovës. Funksioni i këtij  komisioni të përbashkët  që u mbajt për herë të dytë pas takimit të parë në Prishtinë , në maj të këtij viti, është të përcjellë dhe nxitë zbatimin e MSA.

U tha se  gjoja Parlamenti Evropian mori vendime ose dha rekomandime te caktuara. Kjo aspak nuk ishte vërtete. Pra ishte një Komision i përbashkët , ku 13 ishin deputetë të Kuvendit të Kosovës nga të gjitha , grupet parlamentare ( shumica kuptohet nga pozita) dhe 5-6 deputetë të Parlamentit Evropian. Eshtë  me rëndësi se  gjithë rekomandimet u aprovuan thuaja  njëzëri ( me një abstenim) . Kjo kishte të bëjë edhe me rekomandimin  rreth humbjes tragjike e të dhembshme të  jetës së Astrit Deharit  në burgun e Prizrenit. U votua nga të gjithë të pranishmit dhe në një formulim të tillë  që besoj se do të votohej edhe në Kuvendin e Kosovës, që i shpreh ngushëllime familjes  e shokëve për humbjen e rëndë, që i fton organet kompetente të hetojnë dhe zbardhin rrethanat dhe të vejnë para ligjit gjithë ata që mund të kenë bërë vepra antiligjore.   Diku , diku kjo mbledhje u prezentua edhe si e përshkuar në tërësi  me kritika ndaj qeverisë, edhe kjo është e njëanshme . Kritikat ishin të balancuara dhe kishin të bëjë edhe me sjelljet  e opozitës e kishte gjithashtu edhe njohje të rezultateve dhe progresit në fusha përkatëse.  Në zhurmën që bëhet me primesa  të një lufte primitive politike dhe për protagonizëm shpesh opinioni po mbetet pa informatën e saktë.”