Prokurori që heton sulmin kundër Kuvendit, tregon se të dyshuarit ende nuk janë intervistuar

13.11.2016 18:55:52

Ndonëse kanë kaluar më shumë se tre muaj nga sulmi me mjet shpërthyes ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, dhe më shumë se dy muaj nga arrestimi i personave të dyshuar – aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje – këta të fundit ende nuk janë intervistuar nga prokurori I rastit

Këtë fakt e nxori në pah vdekja e njërit prej të dyshuarve të këtij rasti – Astrit Dehari, i cili është gjetur pa shenja jete në qelinë e Qendrës së Paraburgimit në Prizren më 5 nëntor.

Lidhur me këtë çështje, prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Abdurrahim Islami, tha për KALLXO.com se intervistimi i të dyshuarve do të ndodhë këtë muaj. Ndërsa, sa i përket caktimit të masës së paraburgimit për Deharin, prokurori theksoi se kërkesa ishte bërë në bazë të provave të tjera që i ka në posedim Prokuroria.

Për sulmin e 4 gushtit të këtij viti ndaj Kuvendit të Kosovës, si të dyshuar ishin arrestuar aktivistët e Vetëvendosjes: Atdhe Arifi, Astrit Dehari, Adea Batusha, Egzon Haliti, Petrit Ademi dhe Frashër Krasniqi.