Prokuroria aktivizohet për vdekjen tragjike të 26-vjeçarit nga Gjilani, ndërmerr disa veprime hetimore

07.05.2020 15:22:09

Kanë kaluar pesë ditë që nga ngjarja tragjike e vdekjes së 26 vjeçarit, Agon Musliu, në karantinën tek Qendra e Studentëve.

Rasti në fjalë shkaktoi reagime të ashpra në opinion, e sidomos nga ana e opozitës, të cilët po kërkojnë ende dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, shkruan lajmi.net.

Sidoqoftë, tashmë prokuroria është vënë në lëvizje për hetuar dhe zbardhur të gjitha rrethanat e rastit.

Prokuroria Themelore në Prishtinë thotë  se është duke ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të vdekjes së 26-vjeçarit në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, mirë pa dhënë detaje tjera, apo numrin e të intervistuarve deri tani.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të vdekjes së 26 vjeçarit në Qendrën e Studentëve në Prishtinë. Andaj, në këtë fazë, nuk mund të japim detaje të tjera”, thuhet në përgjigjën e Prokurorisë

Trupit të pajetë të 26-vjeçari i është bërë edhe testi për koronavirus, në të cilin ka rezultuar negativ.

Këtë ka konfirmuar  kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri.

Vdekja e 26-vjecarit në karantinën e Qëndres së Studentëve ka ngjallur reagime të shumta në vend, për këtë është kërkuar edhe hetim.

Ndryshe, 26-vjeçari erdhi të shtunën në Kosovë dhe menjëherë u karantinua në Qendrën e Studentëve për 14 ditë, ndërkohë një ditë më vonë, ai u hodh nga kati i pestë i konvikteve dhe në QKUK, sipas mjekëve, u dërgua pa shenja jete.

Në media është prezantuar një raport për shëndetin e të ndjerit, por që sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ai nuk u është prezantuar zyrtarëve përgjegjës me rastin e mbërritjes në Aeroportin e Prishtinës.