Prokuroria kërkon paraburgim për personat e arrestuar që u kapën me 210 kilogramë drogë

11.02.2019 15:20:20

Prokuroria Themelore e Ferizajt, kërkon paraburgim për personat që u arrestuan ditë më parë, pasi u kapën nga policia e Kosovës me rreth 210 kilogramë substancë narkotike.


Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, përmes një komunikate për media, njofton se ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë Gjykatës Themelore në Ferizaj, kundër nëntë personave të pandehur B.S., G.K., XH.S., J.B.,F.B.,D.S., F.B., H.B dhe Z.K., për shkak të dyshimit të bazuar se me datën 10.02.2019, pas kontrollës në dy lokacione në Ferizaj, përcjell lajmi.net.

“Si rezultat, i këtyre kontrolleve, janë gjetur substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë në sasi prej 209kg e 202 gramë, e të cilën sasi të pandehurit e kanë pasur për qëllim që ta transportojnë jashtë shtetit të Kosovës, ku e njëjta është sekuestruar dhe me ç’rast gjashtë persona janë arrestuar, me të cilën do të kryenin veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 273 par.2 lidhur me nenin 281 par.1 nënpar.1.1 dhe 1.9 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, Prokuroria Themelore në Ferizaj njofton se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të pandehurit B.S., G.K., XH.S., J.B.,F.B dhe F.B., gjenden në ndalim që nga data 09.02.2019 kurse tre të pandehurit tjerë D.S., H.B., dhe Z.K., gjenden në arrati.