Prokuroria s’ka kapacitet për të hetuar rastet e letrave të Thaçit, tha Miftaraj

11.10.2016 13:54:33

Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka kapacitete për të hetuar dhe ndjekur rastet të cilat janë përmendur në katër letrat e presidentit Hashim Thaçi, njofton Klan Kosova.

Kështu ka thënë, hulumtuesi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj.

Miftaraj për klankosova.tv ka thënë se për këtë kërkesë të presidentit, Kryeprokurori i Shtetit në asnjë rrethanë nuk duhet të këshillohet për të filluar ndjekjet penale.

“Praktika ka dëshmuar se pushtetet e tjera në vazhdimësi kanë injoruar sistemin gjyqësor dhe prokurorial.”

“Pothuajse asnjë President i Kosovës që nga shpallja e pavarësisë, Kryeministër apo edhe vetë Kuvendi i Kosovës nuk kanë shfrytëzuar autoritetin dhe kompetencat e tyre për të krijuar kushte adekuate përmes ndarjes së buxhetit dhe mjeteve financiare të nevojshme për sistemin gjyqësor dhe prokurorial, në mënyrë që të njëjtat të mund të funksionin dhe ushtronin kompetencat dhe përgjegjësitë e tyre në pajtim me kushtetutë dhe ligj”, ka thënë Miftaraj.

Për qasjen e presidentit Thaçi ai thënë se mund të shihet më shumë si përpjekje për të manifestuar vullnetin e tij për të kërkuar nga organet e ndjekjes hetimin dhe ndjekjen penale të kryesve veprave penale të ndodhura gjatë luftës dhe pas luftës.