Prokuroria Speciale ngre akuzë për terrorizëm kundër Ridvan Aqifit

04.07.2017 11:44:58

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë kundër Ridvan Aqifit, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale “shtytja për kryerjen e veprave terroriste”.

Sipas aktakuzës i pandehuri, si përkrahës i organizatës terroriste ISIS, e cila ka për qëllim që seriozisht të frikësojë popullsinë, të destabilizojë dhe të shkatërrojë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale të shteteve të ndryshme e pastaj në territorin e tyre të krijojë Shtetin Islamik.

“Gjatë disa muajve deri me datë 14 Prill 2017, përmes internetit, në ueb-faqen e rrjetit social Facebook, në profilin e tij, si dhe në ueb-faqen Youtube, përmes llogarisë së tij personale “Nashheed” ka postuar video incizime me tekste të cilat, vet i ka shkruar dhe incizuar e në të cilat të gjithë myslimanëve iu ka bërë thirrje që në emër të xhihadit të kryejnë sulme terroriste kundër Qeverisë së Kosovës dhe ambasadave të huaja në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Në aktakuzë thuhet se “R.K. ka paralajmëruar ardhjen e ‘Hilafetit’, ashtu që në incizimin me titull ‘Në token e Shqiponjave do të vijë Hilafeti’ thotë: ‘Do vijë Hilafeti, me përzënien e hienave, do vijë bereqeti, ngrituni vllazni, ngrituni o musliman, bëni xhihad, shpëtojeni këtë vatan, bëni sulme vetjake, apo në grupe, e dhelprave dinake, frikën me ja u futë, sulme istish`hadije apo kallashnikov, nga rruga selefije ti mos u largo, dridhjani token qafirave, vrisni taghutat, hapni rrugë të mirave, sherijatit shijojani frutat, bëhuni emir të vendit tuaj, mos e lëni në errësirë nën udhëheqjen e huaj, ata s`ja u dojnë të mirën, drogë, bixhoz e zina, ja u kanë lënë errësirën, s`ju dojnë ju dritë me pa, kapni armët e sulmoni Qeveri dhe ambasada, vendin nga të kqinjët çlironi nga udhëheqësit ma katolik se papa’, dhe në këtë mënyrë ka shkaktuar rrezik serioz që vepra të tilla edhe të kryhen”.