Pronari i kompanisë që importoi mish të dyshimtë: Qytetarët nuk lexojnë se çfarë po blejnë

25.03.2018 20:08:58

 

“Unë i garantoj konsumatorët, flas për ‘Euro Ida’, nuk flas për kompani tjera. Ne e marrim përgjegjësinë nëse dikush është helmuar, sëmurë nga produktet tona, ne ja këtu jemi”, kështu ka deklaruar Anton Jupa, pronar i kompanisë “Euro Ida”, e përfshirë në skandalin e mishit të importuar nga Belgjika.

Jupa i ka fajësuar qytetarët, të cilët sipas tij nuk lexojnë se çfarë po blejnë.

“Qytetari ka shumë faj se e blen produktin dhe nuk lexon. Blen mish të bluar në treg me dy euro dhe kjo nuk mund, pasi mishi i mirë i bluar së paku duhet të kushtojë 3 euro e gjysmë, ose 4 e gjysmë kilogrami. Por ata janë duke përdorur mishin e pulës se tregon importi i madh i mishit të pulës”, ka thënë Jupa për kallxo.com

Ai ka fajësuar institucionet përgjegjësie që sipas tij janë të thirrura të mos lejojnë futjen në treg të mishit të dyshimtë.

Jupa ka fajësuar edhe mediat që sipas tij kanë raportuar ditëve të fundit për skandalin e mishit.

“Unë nuk mundem me u marr më këtë punë, unë jam tregtar, kam të drejt me e ble, me e pru në Kosovë dhe me shit. Unë jap garanci deri në vend të shkarkimit dhe çka ndodhë më tutje nuk më intereson, sepse jua jap letrat dhe përgjegjësia nuk është e jona por këtë e kanë bërë mediat”, ka deklaruar Jupa.

Ai ka thënë se për gjithçka japin garanci, pasi asnjëherë nuk kanë pasur probleme me ligjin.

“Mesazhi im për konsumatorët japim përgjegjësi për çdo produkt që e bëjmë ne garantojmë, japim jashtë masës garanci”, ka thënë ai.