Protesta, Bledi Kasmi: Më qëlluan me shkop hekuri, rrezikova jetën

04.06.2018 23:07:41

Kryeredaktori i RD-së, Bledi Kasmi, ka treguar në një seancë dëgjimore në Komisionin e Medias se është qëlluar barbarisht nga forcat speciale gjatë protestës së opozitës në 26 maj para Ministrisë së Brendshme.

Kasmi ka rrëfyer se ka qenë duke bërë punën e tij si gazetar, si shumë kolegë të tjerë, duke raportuar dhe fotografuar nga vendi i ngjarjes.

“Unë isha një nga ata individë që i kërkuam protestuesve që të mos godasin focat speciale dhe pas disa momentesh pashë që kishim një konfrontim me policinë. Si pasojë e asaj pune që bëra, mora një goditje me shkop hekuri në kokë. Gjatë gjithë kohës isha në protestë duke fotografuar e raportuar, si te kryeministria, ashtu edhe te MB-ja, – u shpreh Kasmi. – Barrierat e bënin të pamundur që protestuesit të vijonin rrugën drejt MB-së. Nuk kishte një kordon të qartë policie se ku ishte kordoni i policisë dhe kufiri i protestës. Bëra shumë foto atë ditë dhe ndihmova shumë kolegë gazetarë”.

Kasmi tha se çdo gjë ishte e qetë, deri në momentin kur pati një agresion nga forcat speciale. “Policia qëlloi dhe një protestues që shkoi në spital pa ndienja, – vijoi ai. – Në këto kushte, u detyruam të mbroheshim ose të largoheshinm. Një nga zgjedhjet ishte dhe ajo që bëra unë: vendosa të mos largohesha e të vendosja duart te barriera. Në atë foto ka shumë fotografi që ka pasur shumë gazetarë. Pamjet janë të qarta dhe tregojnë se gazetarët ishin në mes të protestuesve se nuk kishin ku të qëndronin. Nuk e di pse shkopi i hekurit më përzgjodhi mua. Tentova të mbahesha, por policia kishte urdhër që të shtynte barrierën përtej gardhit dhe filloi goditja me shkopat e hekurit. Mua më goditën 3-4 herë, disa në krahun e majtë të shpatullës, por ajo që mora në kokë ishte e fortë, dhe mund të ishte vdkekjeprurëse nëse do të ishte pak cm më tej”.

Kasmi nënvizoi se polici që e goditi “erdhi nga reshti i dytë; kolegët i hapën rrugën dhe më pas u fut prapë aty ku ishte. Pata një hemorragji të madhe gjaku. Bëra një operacion në urgjencë, mjekët punuan në kushte të vështira dhe i falënderoj që bënë një punë profesionale”, – theksoi kryeredaktori i Rilindjes Demokratike.