Protestuesit-Hahnit: Këto që po i thoni tek ne, a vlejnë edhe në shtëpitë e juaja?

21.03.2017 20:26:37

Darko Mijallovski nga iniciativa “Për Maqedoni të përbashkët” në protestat para Kuvendit drejtoi disa pyetje për komesarin Johannes Hahn. Ai e pyeti atë nëse vjen në Maqedoni të ndajë drejtësi ose të bëjë standarde të dyfishta dhe pse nuk e dëgjon zërin e popullit.

“Jemi këtu të porositim se ky popull nuk do të pranojë Deklaratën e Tiranës, kjo është sikur të kërkoni nga SHBA-të të pranojnë programin nuklear të Koresë së Veriut. Zotri Hahn, në Maqedoni nuk ka shqiptarë të diskriminuar, përkundrazi nëse pranohet platforma e tyre, populli maqedonas do të bëhet pakicë. Nuk do ta pranojmë platformën, ashtu siç ju nuk e pranuat takimin me ne”, deklaroi Mijallovski para tumës së protestuesve.

Ai në fund tha të përshëndeten gjithë miqtë në Bruksel dhe t’u përcillet se nuk do të pranojnë ndarjen e Maqedonisë.