PS-PD duket se do të shkojnë drejt bashkëpunimit pas zgjedhjeve parlamentare.

PS-PD duket se do të shkojnë drejt bashkëpunimit pas zgjedhjeve parlamentare.

23.06.2017 15:08:52

 Socialistët paralajmërojnë aleancë me Lulzim Bashën, vetëm për të zhdukur LSI nga qeverisja dhe për t’ia mbyllur shtigjet për të përfituar nga pushteti. Nëse PS nuk i bën dot 71 deputetë, do të bashkëpunojë me PD duke e lënë LSI forcë të tretë opozitare.

Deputeti socialist, Bujar Çela, paralajmëron se PS do ta zhdukë LSI, pasi synimi i vetëm i saj është të përfitojë sa më shumë nga pushteti. Ai tha se ka ardhur koha që populli mos t’ia japë mundësinë LSI të jetë në qeveri, pasi deri më sot nuk ka menduar asnjë ditë për ta, por për benefitet e pushtetit. Çela u shpreh se i takon popullit të flasë në 25 qershor, dhe më pas PS do të shohë situatën për të vepruar. “Politika flet pasi hesht populli. Ende fjalën e ka populli deri në orën 19:00, ditën e diel. Ne duam ta zhdukim fare LSI. Sepse është një malarie që po na kujton kënetën e Tërbufit.

Meta ka rrjedhur. Vendi nuk ka vajtur në humnerë siç thotë Meta, sepse populli e ka parë me sytë e vet të mendjes dhe jo me sytë e qetësisë dhe të dashurisë false të Metës. Meta që nga dita e parë që ka ardhur në pushtet si në 2009 dhe në 2013, ka menduar vetëm për vete dhe duke ia futur popullit thikën në shpinë. Populli ka radhën të hapë sytë, në rast se i kanë pëlqyer thikat brinjë më brinjë, të vazhdojë të votojë për LSI”, tha Çela. Ndërsa deputeti Sadri Abazi shpreh sigurinë se PS do marrë mbi 71 mandate në Kuvend. Abazi përjashton mundësinë e koalicioneve me cilëndo forcë politike, aq më tepër me LSI.

“PS do marrë mbi 71 deputetë nuk ka asnjë koalicion tjetër. Koaliconi është bërë i qartë me shqiptarët, PS merr 75 deputetët”, tha deputeti Abazi. Ndërsa deputeti Andrea Mano do të mbështeste koalicionet vetëm nëse do të bëheshin në të mirë të vendit. “Për të mirën e vendit do mbështesja çdo koalicion, por jo për të larguar parti të caktuara”, tha deputeti Abazi.

Shkarkimi i këshilltarit të LSI

Sinjalet e bashkëpunimit PD-PS janë dhënë ditën e djeshme, kur dy partitë e mëdha kanë bashkuar votat në Këshillin Bashkiak duke shkarkuar këshilltarin e LSI, Bashkim Tola. Shkarkimi i tij është bërë, pasi përpos detyrës si këshilltar ai ishte zgjedhur edhe drejtori i Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve në Gjirokastër.

Duke qenë në konflikt interesi, PS depozitoi kërkesën në këshillin e mandatave për ta shkarkuar pak ditë më parë dhe sot nisma është konkretizuar edhe me votat e PD. Në mbledhje nuk kanë marrë pjesë këshilltarët e LSI, pasi kanë qenë kundër këtij vendimi. Këshilli i bashkisë drejtohet nga PS, ndërsa bashkia nga LSI. Marrëdhëniet mes PS dhe LSI janë përkeqësuar dhe situata në të gjitha qarqet e vendit, lë shumë për të dëshiruar. Ish-kreu i LSI, Ilir Meta, ka ashpërsuar gjuhën gjatë këtyre ditëve, saqë nuk ka kursyer as kërcënimet në drejtim të kryeministrit Edi Rama.