Pse dërdëllit Donika për Ramizin kur ka deklaratën e Antonit?

28.10.2016 20:40:43

Nga Rexhep Kastrati

Donika e Jusufit paska përfolur sot kalimin e Ramiz Kelmendit në LDK, të cilin unë sigurisht nuk e kam mirëpritur, por që megjithatë e kam marr si diçka normale në kushtet kur parti të tjera që identifikohen me UÇK-në, e kanë bërë kabull. Të mos harrojmë se Ramiz Kelmendi një kohë të gjatë ishte në AAK-në e Ramushit, i cili sipas koalicionit WLAN që e pëlqente fort Vjosa, një kamikaze tjetër kundër kryeministrit Mustafa, do të duhej të ishte kryeministër i vendit. Dhe AAK është partia ku Donika e Jusufit ka shumicën e familjes së gjerë, të cilët nuk dua t’i përmend me emra. Dhe Ramiz Kelmendi ishte fort jaran me Ramushin, dhe ka gjasë që edhe shumë biznese t’i kenë bërë bashkë. Por për Ramushin dhe për AAK-në u bë i keq kur kaloi në PDK, dhe u bë kuvendar i saj. Dhe PDK e mbajti si të mos kishte qenë kurrë në AAK, dhe të mos kishte asnjë cen fare. Bile shumë nervoze u bë PDK, përkatësisht Kadri Veseli kur mori vesh se Ramiz Kelmendi po kalonte në LDK: kërkoi takim urgjent me kryeministrin Mustafa për ta sqaruar këtë punë. Pra, në skenën politike te ne është krejt normale që njerëzit të kalojnë nga një parti në tjetrën, edhe pse nuk është në përputhje me parimet e mia, dhe unë nuk do ta bëja, ashtu siç nuk e kam bërë kurrë. Por, në skenën politike te ne është edhe kjo dukuri që nuk ka filluar me Ramiz Kelmendin, por ky i fundit i ka ndjekur të tjerët. Dhe këtë model Donika e Jusifit e ka në familjen e gjerë. Dhe këtë model e ka përjetuar LDK edhe për të gjallë të presidentit Rugova që nga viti 1998 e këndej. Prandaj, Donikë e Jusufit nuk është ajo që mund të flasë as për Ramiz, e as për Aziz, e as për Hafiz, sepse atëherë duhet të flasë për të gjithë ata që e çanë LDK-në dhe herë krijuan parti, e herë kaluan në parti të tjera. Ia kujtoj Hafiz Gagicën, i cili për të gjallë të presidentit Rugova bashkë me Edita Tahirin ikën nga LDK dhe sa qe gjallë presidenti Rugova as kah dera e LDK-së nuk ka guxuar të bjerë. Dhe pas vdekjes së presidetit Rugva, bëri se u kthye në LDK, por u pa që është kthyer për ta çarë e përçarë. Dhe ky na doli se ishte shokë i Milaim Zekës, bile avokat mediatik i tij. Dhe e di ajo Milaim Zekën, jo veç këtë të sotmin, por edhe atë viteve të ’80 të shekullit të kaluar. Dhe Donika e Jusufit nuk mund të flasë as për Ramiz, as për Aziz e as për Hafiz, sepse ka rastin e Rexhep Gjergjit, i cili iku nga LDK-ja dhe u fut madje edhe në listën e AAK-së për zgjedhje, kurse ka kohë që dërdëllit kundër kryeministrit Mustafa. Ka edhe shumë të tjerë, ashtu siç ka edhe gecët e Llaushës, të cilët pasi e bënë horë LDK-në me karrige, ikën dhe bashkë me ikanakët e tjerë e sollën në pushtet Hashim Thaçin. Dhe i përmenda vetëm disa që u turrën si lukuni qensh kundër LDK-së dhe kundër kryeministrit Mustafa në kohën kur kishte nevojë më shumë se kurrë për unitet dhe disiplinë partiake, në kohën kur i ishin lëshuar të gjithë llumi i Kosovës, llumi politik dhe mediatik që më parë ishin lëshuar kundër presidentit Rugova dhe kundër LDK-së. Dhe të gjithë këta, bashkë me Donikën e Jusufit i dinin të gjitha këto, dhe megjithatë më një primitivizëm të paparë iu turrën si nuk i janë turrë kurrë kundërshtarëve të presidentit Rugova dhe të LDK-së. Dhe Donika e Jusufit ishte me ta. Prandaj,  Donika e Jusufit nuk mund të flasë për Ramiz, për Aziz e për Hafiz, se kah ne përdoret një shprehje: e ka ba gjizë. Dhe Donika e Jusufit e ka ba gjizë edhe kur Anton Quni merrte përsipër që falë emrit të babës së saj, ta afronte me kryeministrin Mustafa. Dhe Antonit atë kohë i kam thënë: Mos e bëj këtë se Donika e Jusufit e di mirë se çka po bën dhe e di mirë se përse po i bën. Por Antoni nuk më dëgjoi dhe shkoi në Gjermani, por e priti edhe në Prishtinë. Po ashtu, e mori dhe e çoi edhe në LDK dhe e takoi me zyrtarët më të lartë të LDK-së pas kryetarit Mustafa. Antoni ka bërë shumë për Donikën, por nuk e di Donika a i është mirënjohëse. Një ditë pas fjalimit të Antonit në Kuvend, nuk e di a e ka ndjerë veten keq Donika kur komandanti i Koshares deklaronte se do bënte gjysmën e burgut të Sylejman Selimit? Nuk e di se a më e rëndë është ardhja e Ramiz Kelemendit në LDK, apo deklarata e Anton Qunit për Sylejman Selimin? Dhe Donika ka heshtur. Edhe unë kam heshtur për deklaratën e Antonit, edhe pse nuk kam dashur ta kuptoj aq keq sa e kanë kuptuar ata të cilëve ua ka shtrirë dorën. Dhe nuk e kam kuptuar aq keq, sepse Antoni e ka pasur në kuptimin e një figure përfaqësuese të UÇK-së, e jo të dikujt që mund të jetë implikuar në krime. Me Antonin kam ndejtur gjatë për të mos thënë çdo natë apo çdo ditë, dhe e di që në aktivitetin e tij politik është udhëhequr nga parimi i mbrojtjes dhe dalëzotë për luftëtarët të gjallët dhe të vrarët, për komandantët dhe gjithë sakrificën e bërë. Megjithatë e kam ndjerë veten keq në kuptimin që Antoni nuk ka pasur votë për kryetarin e partisë së tij për kryrministër, kurse kishte vite jete për të kaluar në burg. Dhe Donika, para se të dërdëlliste për Ramizin, do të duhej të kishte ndërmend deklaratën e Antonit. Nuk di a e ka ndjerë veten kaq Donika kur mund ta ketë dëgjuar deklaratën e Antonit? Po ashtu, nuk di kë merr më të rëndë: deklaratën e Antonit, apo kalimin e Ramizit në LDK?