Pse duhet shkuar në zgjedhje të parakohshme? Këto janë 10 arsyet, sipas Muharrem Nitajt!

23.10.2016 21:02:52

Sipas një deklarate të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, anëtar i Kryesisë dhe zëdhënës i AAK-së, duke marrë shkas nga zërat në rritje, duke përfshirë edhe ata të shumicës parlamentare, për zgjedhje të parakohshme, ka numëruar 10 arsye, pse Kosova do të duhej të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Po sipas njoftimit, Nitaj thotë se këto arsye do të duhej ta bindnin edhe shumicën, se para së gjithash ajo ka nevojë më shumë se opozita që të shkohet në zgjedhje.

Pse Kosova është i vetmi vend në Ballkan që ka mbetur pa liberalizimin e vizave dhe fajtori për këtë është Qeveria e askush tjetër;

Pse Kosova është me shkallën më të lartë të korrupcionit në gjithë Evropën, dhe për këtë përgjegjëse është, ekskluzivisht Qeveria!

Pse kjo Qeveri i ka bërë dy gabime të rënda, kur i ka nënshkruar dy marrëveshje, Asociacionin, të vlerësuar antikushtetuese dhe Demarkacionin, me të cilin e ka rrezikuar tërësinë territoriale të Kosovës, me çka ka shkaktuar krizë politike në vend.

Pse Qeveria, edhe duke e pasur shumicën absolute në Kuvend, nuk ka mundur ta kalojë transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës.

Pse Qeveria nuk ka mundur të bëjë, pothuaj asgjë në integrimin e veriut të Kosovës.

Pse premtimet për çfarë i ka fituar zgjedhjet, nuk i ka përmbushur as 10 për qind.

Pse Qeveria ka qenë armiqësore ndaj Opozitës edhe i duke i përndjekur e arrestuar deputetët e saj.

Pse Qeveria me marrëveshjet e saj, ka provokuar që Kuvendi i Kosovës të shndërrohet në arenë përplasjesh me gaz lotsjellës e me polici.

Pse partnerët e Koalicionit Qeverisës, asnjëherë nuk kanë funksionuar si një tërësi e vetme, por si dy pjesë e me dy shefa.

Më në fund për shkak të ndasive të mëdha politike, që kanë reflektuar edhe në popull, e të cilat janë provokuar nga veprimet e kësaj Qeverie.

Po sipas deklaratës, këto janë vetëm disa prej arsyeve, pse Kosova duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme ose të parakohshme.

“Prandaj edhe zërat që vijnë nga shumica për zgjedhje, sado që sot janë më të rrallë, janë reflektim, për domosdoshmërinë e tyre, për tu kapërcyer situata e krijuar”, thuhet në fund të deklaratës.