Pse u arrestua dhe pse u lirua Nehat Thaqi?

02.11.2016 15:25:49

Nga Rexhep Kastrati

Nehat Thaqin nuk besoj se e ka njohur kush përveç rrethit familjar, farefisit, miqve të tij, dhe kolegëve të punës para se të arrestohej nga institucionet e Serbisë. Por kur u arrestua, e njohën shqiptarët gjithandej, por e njohën edhe serbët dhe bahkësia ndërkombëtare. Bile, arrestimi i tij u bë çështje politike, u bë çështje që do të përdorej për të cenuar apo ndërprerë proceset kryesore ndërkombëtare të Kosovës. Në Kuvendin e Kosovës u miratua një rezolutë me të cilën kërkohej që të obligoheshin institucionet vendore dhe ndërkombëtare për lrimin e tij. Nehat Thaqi u bë temë e ditës edhe për mediet dhe portalet që ngaqë nuk dijnë, ose nuk duan për mbarë, ia thonë shumë mirë për mbrapshtë, duke e mbajtur në tension psikologjik shoqërinë tonë. Shef i policisë rajonale në Mitrovicë, Nehat Thaqi kishte zgjedhur rrugën më të shkurtër, por që i doli më e gjata për të shkuar, siç ka thënë ai në Gjermani apo në Zvicër. Dhe këtu zë fill realiteti, jo ai që e kanë prodhuar politika që do gjak për të mbajtur gjallë kauzën për destabilizimin e vendit dhe për t’i bërë dëm keq, por ai realiteti i ftohtë dhe konkret. E ky realitet është ai që përfshin çështje të tilla të natyrës teknike-procedurale të lejes së largimit nga puna për kohë të caktuar, të vizës për të lëvizur në zonën Shengen, vendimin për të kaluar në Serbi, dhe për të sqaruar përfundmisht arsyet e arrestimit dhe të lirimit të tij nga institucionet serbe. Dhe për shkak të peshës dhe rëndësisë, duhet të fillojmë nga kjo e fundit: pse u arrestua me të vërtetë, pse u mbajt në paraburgim dhe pse u lirua? Nëse arsyeja e arrestimit të Nehat Thaqit ka qenë ajo që kanë deklaruar institucionet e Serbisë, atëherë do të binte fare poshtë arsyetimi i lirimit të tij. Është kështu për faktin se arsyeja e lirimit: familja për të cilën është supozuar se është larguar me dhunë nga ana e Nehat Thaqit nuk ka bërë ndonjë procedim ligjor është arsyetimi më i kotë dhe më qesharak. Shtrohet pyetja: si ka mundësi që të mos ketë qenë në dijeni asnjë institucion i Serbsë, kur dihet se janë disa shkallë që kanë vërtetuar ligjshmërinë e arrestimit dhe të mbajtjes në paraburgim të tij? Si ka  mundur të procedohet kundër Nehat Thaqit pa pasur ndonjë procedim ligjor nga familja që supozohej se është shpërngulur me dhunë nga ana e tij? Përveç këtyre,  është kot fare arsyetimi për lirimin e tij, edhe për faktin pasi që ta mbash njeriun disa javë në paraburgim dhe këtë ta vërtetosh në disa shkallë gjykate, dhe në fund të thuash: epo familja nuk ka proceduar gjë kundër tij, do të thotë se kot fare arresti, kot fare arsyetimi për lirim. Atëherë, pse pra është arrestuar në të vërtetë Nehat Thaqi? A mos është rasti i tij, sikurse rasti i Baton Haxhiut, i kohës së luftës? Të kujtojmë se Baton Haxhiu ishte arrestuar për shkak të raportimeve të “Kohës ditore” për luftën, kurse kishte përfunduar bashkëbisedues, për të mos thënë edhe bashkëpunëtor i Jovica Stanishiqit. Në këtë kuptim, institucionet e Kosovës, në radhë të parë, ato të policisë dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme duhet të trajtojnë me seriozitet çështjen dhe të mos bien pre e propagandës mediatike dhe politike, përkatësisht heroizimin e tij publik, dhe të dilet me konkluzione të qarta dhe të vendoset më tej se si të procedohet me të. Dhe sigurisht, duhet të verifikohet mirë edhe axhenda e vërtetë e shkruarjeve të herëpashershme e Nehat Thaqit në Serbi, dhe të vërtetohet a ka shkuar kot fare, për ndonjë biznes privat, kalimthi për ndonjë shtet tjetër, apo për arsye të ndryshme që lidhen me funksionet e tij si epror i policisë së Kosovës. Kjo do të thotë se duhet të trajtohet profesionalisht që të nxirren konkluzione të sakta për këtë rast. Po ashtu, ky rast duhet të shërbejë për një syçeltësi dhe për punë më profesionale të policisë dhe të institucioneve të tjera të sigurisë.