Pushteti lokal ‘shkoi’, deponia në Tetovë mbeti

21.05.2017 20:03:21

Pushteti lokal në Tetovë gjatë kohës së mandatit katër-vjeçar, nuk arriti të zgjidh problemin me deponinë e egër. Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, në fillim të mandatit të saj, si prioritet vendosi pastrimin e deponisë dhe ndërtimin e një stacioni riciklimi për mbeturina, por asnjëra nga këto nuk u realizua.

 

Mijëra ton mbeturina muajve të fundit janë vendosur në hyrje të Tetovës, prej ku edhe kundërmon erë e keqe. Qytetarët thonë se deponia seriozisht rrezikon shëndetin e tyre.

Nga organizatat ekologjike theksojnë se deponia e egër, padyshim është problemi më i madh ekologjik në qytet që urgjentisht duhet të zgjidhet.

Gjatë 4 viteve të kaluar pushteti lokal në Tetovë vazhdimisht ka premtuar se problemi me deponinë do t’i kalojë të kaluarës.

Nga Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova”, në shkurt të këtij viti premtuan se deri në fund të marsit deponia do të pastrohet, ndërsa mbeturinat do të klasidikohen në kontejnerë të veçantë. Por pse një gjë e tillë nuk është realizuar akoma nuk ka përgjigje.

Tani, çdo njëri që futet në Tetovë pritet nga mijëra ton mbeturina, problem që deri tani asnjë pushtet nuk ka arritur ta zgjidhë.