“Qendrat e kompetencës, storie suksesi dhe potencial i përfitimit nga MSA”

14.03.2017 16:34:36
Ministrja e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj sot ka vizituar Qendrën e Kompetencës në Ferizaj, ku ka theksuar rolin dhe rëndësinë e qendrave të kompetencës për të rinjtë kosovarë.
 

Ahmetaj ka thënë se këto qendra do të mundësojnë që të rinjtë tanë të aftësohen dhe specializohen në profesione të ndryshme dhe do të kenë mundësinë e punësimit në Kosovë, njëherit të jenë konkurrent të barabartë me qytetarët e vendeve të Bashkimit Evropian.

Ajo gjithashtu ka thënë se aftësimi dhe arsimi i rinisë së Kosovës përmes qendrave si kjo do t’i mundësojë vendit shfrytëzimin e përfitimeve që ofron MSA, duke integruar dhe bërë konkurrues tregun e punës së Republikës së Kosovës dhe se mundëson krijimin e standardeve dhe cilësisë së nivelit të BE-së, transmeton lajmi.net.

“Gjatë vizitës, ministrja Ahmetaj përcolli nga afër punën dhe aktivitetet e specializuara të studentëve në kuadër të qendrës si, Audiometristët, Asistentët e Kujdesit Social dhe Shëndetësor, Teknikët Dentar, Asistentët e Fizioterapisë dhe profile tjera specifike të kësaj qendre, ku vuri në pah se këto institucione të arsimit dhe aftësimit profesional qëllim të tyre kanë ofrimin e programeve arsimore dhe aftësim profesional për të përgatitur kuadro profesional konform kërkesave të tregut të punës”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Integrimeve.

Më tej në këtë njoftim thuhet se çdo qendër e kompetencës ofron aftësimin në profile të ndryshme profesionale brenda një fushe të aktivitetit të përcaktuar.

“Shteti i Luksemburgut ndërtoi 2 qendra të kompetencës, atë në Ferizaj me profile te mjekësisë, dhe në Prizren me profile të ekonomisë, tregtisë, udhëtimit dhe turizmit. Investimi i Luksemburgut për këto dy qendra është 10 milion euro, me ç’rast ministrja Ahmetaj falënderoi shefen e zyrës, Anne Doster dhe shprehu përkushtimin e saj për të vazhduar dhe thelluar bashkëpunim e deritanishëm edhe në sfera të tjera”, përfundon komunikata.