Qëndron Kastrati flet për “zonën e kazinove” në Kamenicë ku as Policia nuk mund të hyjë

10.11.2019 00:43:16

Kryetari i Komunës së Kamenicës njëherësh nënkryetar i PSD-së, Qëndron Kastrati ka sqaruar edhe për rastin e hapjes së kazinove në Kamenicë pavarësisht se në Kosovë janë të ndaluara me ligj.

Kastrati në “Personale” me Krenare Vokshi-Shala në RTV Dukagjini ka thënë se një gabim i vitit 1999 kur NATO dhe forcat serbe kanë ndarë territorin e përgjegjësisë në hartat kadastrale ka lënë një pjesë të Karaçevës si zonë neutrale.

I pari i Kamenicës thotë se ndër vite i është kërkuar edhe policisë së Kosovës të mos operojë në atë pjesë duke krijuar një boshllëk në atë vend.

“Ajo zonë është e Komunës së Kamenicës dhe me kadastër iu takon pronarëve shqiptarë. Sfida është që Policia e Kosovës për të hyrë në atë zonë duhet të merr leje të veçantë nga KFOR-i”.

Kastrati thotë se disa shqiptarë që kanë ardhur nga gjithë Kosova kanë hapur kazino në atë vend duke përfituar nga boshllëku që policia nuk mund të intervenojë.

Kryetari i Kamenicës thotë se nuk është i gatshëm të urdhëroj zyrtarët komunal të shkojnë në inspektim pa asistimin e policisë në atë vend dhe se është në pritje të sqarimit të kompetencave nga organet tjera qendrore.