Qeveria e Kosovës është duke u angazhuar për përballimin e situatës së krijuar nga të reshurat e borës

07.01.2017 17:37:25

Qeveria e Kosovës me të gjithë mekanizmat institucionalë përkatës është duke bërë gjithçka për përballimin e situatës së krijuar nga të reshurat e borës, si dhe është duke e përcjellë me vëmendje situatën e krijuar. – thotë Vlora Dumoshi, shefe kabineti dhe këshilltare e kryemnstrit Mustafa, në një postim në facebook.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes mekanizmave kompetentë institucionalë, po e përcjellë me vëmendje të posaçme situatën e krijuar në Kosovë pas reshjeve të mëdha të borës si dhe temperaturave të ulëta që kanë përfshirë vendin.
Forca e Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës, Qendra e Situatave në kuadër të Këshillit të Sigurisë në Zyrën e Kryeministrit, Ministria e Infrastrukturës si dhe Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave janë plotësisht të angazhuara në ballafaqim me situatën, duke rritur gatishmërinë në tejkalimin e kësaj emergjence.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, po ashtu ka kërkuar nga institucionet kompetente që të rrisin mobilizimin, gatishmërinë dhe koordinimin e gjithanshëm për t’i dal në ndihmë qytetarëve, institucioneve lokale, si dhe të gjitha komuniteteve e banorëve të vendit të cilët mund të ballafaqohen me pasojat e kësaj situate.”