Qeveria e Malit të Zi drejt rënies, Frontit Demokratik braktis koalicionin qeverisës, mazhoranca humbet shumicën

19.06.2021 10:44:19

Miratimi i Rezolutës për Srebrenicën, duket se ka prishur ekuilibrat në politikën e Malit të Zi, gjë që mund të rezultojë edhe me rrëzimin e qeverisë. Mbrëmjen e 17 qershorit, Parlamenti i Malit të Zi votoi miratimin e një Rezolute të Srebrenicës të Bosnjë dhe Hercegovinës, e cila në thelb ndalon mohimin e gjenocidit të ndodhur aty. Rezoluta u votuar nga 55 deputetë dhe u miratua me 29 vota pro,19 kundër dhe 7 abstenim. Miratimi i kësaj rezolute ka sjellë si pasojë edhe shkarkimin e ministrin e Drejtësisë, të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Vladimir Leposaviç, pasi më parë ky ministër kishte deklaruar se ngjarjen nuk e vlerësonte si gjenocid. Pro shkarkimit të Leposaviç-it votuan 43 deputetë ndër të cilët vetëm 27 ishin kundër. Më 26 mars, Leposaviç deklaroi para Parlamentit të Malit të Zi se është i gatshëm të pranojë se në Srebrenicë ka pasur gjenocid “kur një gjë e tillë të vërtetohet pa dyshime”. Ky qëndrim nxiti kritika brenda Malit të Zi si dhe nga Bashkimit Evropian e Shtetet e Bashkuara. Propozimi për shkarkimin e tij u bë nga kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç ndërsa u mbështet edhe nga Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Millo Gjukanoviç, parti e cila është në opozitë. Shkarkimi i ministrit ka sjellë si pasojë edhe tërheqjen e Frontit Demokratik nga mazhoranca.

Qëndrimet

Pas një vendimi të tillë të parlamentit, Fronti Demokrat (DF), aleat i kryeministrit malazez, Zdravko Krivokapiç ka njoftuar se do të bojkotojë qeverinë dhe parlamentin. “Unë ju bëj thirrje që të heqim qafe DPS-in në mënyrë që të mos ndërtojmë më tej Malin e Zi me ata. Të mblidhemi sa më shpejt të jetë e mundur dhe të vendosim se çfarë të bëjmë më tej. Deri atëherë, ne nuk do të hyjmë më në plenum, nëse keni një shumicë të re, thjesht shkoni me ta. Kjo vlen edhe për udhëheqjen e Kuvendit, sepse tani ne jemi në situatën në zero dhe në kërkim të një marrëveshje të re”, tha deputeti i DF-së, Slaven Radunoviç. Një vendim i tillë nga Forumi Demokratik, bën që mazhoranca të mos ketë më shumicën në Parlamentin e Malit të Zi, e për pasojë të nisin bisedimet e negociatat me parti të tjera në mënyrë që të vijojnë të qeverisin vendin. Ndërkohë, një nga udhëheqësit e Frontit Demokratik, Andrija Mandiç deklaroi gjithashtu se shumica aktuale parlamentare në Mal të Zi nuk ekziston më dhe vendi ndodhet në situatë ku mazhoranca është në përpjekje për të arritur një marrëveshje me partinë DPS Milo Gjukanoviçit. “Votimi për Rezolutën mbi Srebrenicën, e cila nuk u votua as nga Parlamenti i Bosnje-Hercegovinës, është në dëm të popullit serb dhe Republikës Serbe. Deputetët e Frontit Demokratik u larguan nga parlamenti dhe tani, përveç krizës së Qeverisë, kemi edhe krizën e Parlamentit. Ne u bëmë thirrje partnerëve të koalicionit të rivendosnin marrëdhëniet, të bënin marrëveshje të reja, të formonin një qeveri të re, por nëse nuk mund ta bëjmë atë, atëherë ne do të organizojmë zgjedhje të reja me ndihmën e qeverisë kalimtare”, theksoi Mandiç.