Qeveria hesht ndaj deklaratave të Rashiqit për Komunën e Prelluzhës

24.09.2016 14:26:42

Qeveria e Kosovës ka zgjedhur të hesht përballë deklaratave të bëra ditë më parë nga deputeti i Listës Serbe, Nenad Rashiq, se atyre u është premtuar themelimi i Komunës së Prelluzhës si pjesë e marrëveshjes për ta votuar Thaçin President.

Por siç sqaroi ai, vetëm pas dy ditësh Mustafa kishte thënë në Vushtrri se ajo komunë nuk ndahet.

Ndërkohë, ai i ka fajësuar partnerët e koalicionit  se ata nuk kanë tentuar asnjëherë që ta kontaktojnë Listën Serbe, që nga koha kur është zgjedhur Thaçi president.

Kjo, siç tha ai, ka qenë taktikë e tyre që faji t’i lihet Listës Serbe për mosratifikim të Demarkacionit.

Për këto akuza, Qeveria nuk ka dhënë asnjë shpjegim. Lajmi.net ka tentuar të bie në kontakt më këshilltarin dhe zëdhënësin e kryeministrit Isa Mustafa, por nuk ka marrë përgjigje, raporton lajmi.net.

Për më tepër, deputeti i Listës Serbe sqaroi se nëse koalicioni qeverisës do të takohej me Listën Serbe për mënyrën se si do të votohej rreth Demarkacionit, këta të fundit do ta bënin atë pa ndonjë kusht të vetëm.

Madje takimi i tyre i fundit sipas Rashiq është bërë para gjashtë muajve, kohën kur është votuar për presidentin e vendit, ku edhe iu është kërkuar atyre kuorum për ta votuar Hashim Thaçin President.

“LDK e PDK po kërkonin një fajtor për ta tërhequr pikën dhe e kishin gjetur pikërisht listën serbe”, tha Nenad Rashiq, para disa ditësh.

Demarkacioni dështoi të ratifikohej më 1 shtator, pasi kryeministri tërhoqi nga rendi i ditës, për siç shpjegoi ai, mungesë të kushteve për ta bërë ratfikimiin e tij.

Që atëherë, në asnjë seancë tjetër nuk është futur në rend dite çështja e Demarkacionit me Malin e Zi, besohet shkak i kësaj është mungesa e votave që nevojiten për ta kaluar atë.