Qeveria, plan masash kundër kanabisit: Goditje në gjenezë

29.03.2017 13:35:28

Qeveria shqiptare ka hartuar një plan kryeministror, në bashkëpunim me të gjitha institucionet dhe partnerët e huaj për t’i dhënë një goditje të fortë parandalimit dhe kultivimit të lëndëve narkotike në vend.

Përmes një deklarate për shtyp, zv.kryeministri Niko Peleshi shpjegoi disa nga masat që do të merren për të goditur rrjetet kriminale të drogës.

Peleshi tha se modeli negativ i formuar në Lazarat ka ndikuar ndikoi shumë, jo vetëm për fuqizimin e grupeve dhe rrjeteve kriminale, por edhe në inkurajimin e kultivimit të drogës. “Goditja që mori në 2014 kjo zonë, i shpërndau në qytete të tjera të vendit rrjetet kriminale”.

“Duke filluar që nga ky vit, do të nisë një operacion i kombinuar, duke goditur rrjetet që në gjenezë, – vijoi Peleshi. – Do të jenë të përfshirë Policia e Shtetit, shërbimet e inteligjencës, ushtria, bujqësia, partnerët ndërkombëtare etj. Plani parashikon masa serioze ndaj zyrtarëve dhe bashkëpunëtorëve, po ashtu do të ketë një lloj “Vettingu” që do shoqërojë ecurinë e planit”.

Peleshi sqaroi se për hartimin e planit ka punuar një grup kryeministror dhe ekspertë të huaj, duke përgatitur një paketë të gjerë masash.

“Do të ketë angazhim të të gjitha institucioneve. Bashkëpunimi ndërkombëtar konsiderohet prioritet i rëndësishëm në përpjekjen në luftën kundër kanabisit. Viti 2017 do shënojë një kulm të rëndësishëm të goditjes së fenomenit të kanabisit në Shqipëri”.

Spas tij, “kjo nuk është vetëm një sfidë e qeverisë shqiptare, por e gjithë shoqërisë sonë. Nuk është një betejë e përkohshme, por e përhershme kundër krimit që gjen forma e mënyra të ndryshme. Por ky vit, është në objektivin e planit për reduktimin në maksimum të kultivimit të kanabisit në vendin tonë”.