Qibrije Hoxha: Sot është ditë e rëndësishme për Lirinë e Kosovës!

Sot me 24 mars bëhen 18 vite nga fillimi i bombardimeve të NATOs në mbrojtje të popullit të Kosovës nga gjenocidi dhe dëbimi masiv i një milion shqiptarëve nga ana e forcave të regjimit serb të Millosheviqit.
Falë vizionit largpamës të Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova si politikan dhe strateg ushtarak i cili punoi për ruajtjen fizike të qenies shqiptare nga gjenocidi, Aleanca Veriatlantike me SHBA në krye, morri vendim human që të veprojë duke bombarduar caqet ushtarake serbe.
Angazhimi humanitar i NATOs ruajti një popull të tërë nga gjenocidi dhe trasoi rrugën e sigurtë të Kosovës për Liri, Pavarësi dhe Demokraci!
Falë Presidentit të shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton u realizuan sulmet ajrore shpëtimtare për Kosovën dhe kombi amerikan doli në mbrojtje të Kosovës, kurse Kosova fitoi miqësinë më të shenjtë me SHBA.
Mirënjohja dhe falënderimi në këtë ditë historike, shkon për SHBA dhe NATO, miqësia e jonë mbetet e përjetshme dhe do të përcillet brez mbas brezi, duke kujtuar edhe sakrificën e Ushtirsë Çlirimtare të Kosovës dhe dëshmorëve të saj.

24 Marsi i vitit 1999 është dita e shpëtimit të shqiptarëve dhe është dita e lindjes të një shteti të lirë, të Kosovës së Pavarur dhe Demokratike me orjentim të qartë dhe të pakthyeshëm kah SHBA dhe Aleanca Veriatlantike.

Zoti e bekoftë NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me miqët e saj!
Zoti e bekoftë Kosovën!