Qirezi: Kosova bëri hapin e duhur që e ndaloi Vulinin, është mësim për Beogradin

30.01.2017 16:20:16

Sot Aleksandër Vulin kishte paralajmëruar ardhjen e tij për vizitë në Kosovë, por kërkesën e tij e ka refuzuar Ministria e Punëve të Jashtme, arsyet nuk dihen.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Arben Qirezi ka thënë për lajmi.net, se vizita e Vulinit nuk ka pasur qëllim të provokimit për shkak që sipas tij, ai nuk është personalitet me ndikim të madh.

Ai ka thënë, se Beogradi duhet të mësohet se “për vizita zyrtare duhet të merret leje e posaçme prej Kosovës”, ndërsa varet nga Kosova nëse e pranon ose jo.

“Vizitat e zyrtarëve të ndryshëm serb u patë shndërruar në një normalitet, Beogradi vizitat e zyrtarëve të tij në Kosovë i sheh si diçka normale. Beogradi me vizitën e Vulinit nuk ka pasur qëllim ta bëjë ndonjë provokim, për shkak se ai nuk është ndonjë personalitet tepër i lartë që të shkaktoj provokim të tillë”, tha ai.

Qirezi ndër tjera tha, se refuzimi i kërkesës që Vulinit nga autoritetet e Kosovës është hap i duhur pasi duhet t’i tregohet Beogradit se duhet të kërkohet leje të posaçme para vizitës.

“Në anën tjetër, ndalesa e cila iu është bërë që të mos hy Vulini në Kosovë është hap i duhur në mënyrë që të ju tregohet Beogradit se për vizita zyrtare duhet të merret leje e posaçme prej Kosovës dhe varet prej vendit nëse dëshiron t’i pranojë ata në territorin e Kosovës apo jo”, tha ai.