QKUK: Të gjitha sallat e operacionit janë në funksion të plotë

07.06.2018 14:13:46
Qendra Klinike Universitare  e Kosovës, njofton opinionin se të gjitha sallat e operacionit janë funksionale dhe po punojnë me kapacitet të plotë.

QKUK, është furnizuar me 15 mijë copë fentanyl, i cili është i mjaftueshëm për muajt në vijim. Amp. Fentanyl përdoren për të gjitha sallat e klinikave të QKUK-së, ndërkohë që tash më ka kontratën valide për furnizim e cila i është përcjellë  edhe Spitaleve të Përgjithshme.

Fondi i Sigurimeve Shëndetësore pasi ka lidhur dhjetëra kontrata, ka filluar të furnizimin serioz, ku vetëm ditën e djeshme Barnatorja Qendrore e QKUK-së,  është furnizuar me sasi të konsiderueshme të barnave, ndër të cilat edhe me anestetik tjerë si; amp. Neostigmin, amp. Atracurium, ampula Morfinë, amp.Lidocaine si dhe barna të tjera.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës së Anesteziologjisë me Reanimacion, dr. Nehat Baftiu, deklaron se të gjitha sallat operative në QKUK kanë punuar me kapacitet të plotë, ku të gjitha rastet e planifikuara elektive dhe urgjencat janë kryer me sukses.

Po ashtu edhe UD. Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Torakale dr. Saudin Maliqi ka thënë se Klinika e Kirurgjisë Torakale ka punuar me kapacitet të plotë duke realizuar në tërësi programin operator.

Furnizimi i fundit që është bërë me barna dhe material shpenzues në Barnatoren Qendrore, siguron që në muajt në vijim të mos ketë asnjë ndryshim të programit të operimeve i cili do të zbatohet me përpikmëri.