Qytetarët rrezikojnë jetën në Brezovicë

17.01.2017 13:28:40
Kosovarët që shkojnë për skijim në Brezovicë mund ta humbasin jetën. Shumë lehtë kabllot e teleferikëve mund të këputen apo të bllokohen për orë të tëra.
Asnjë institucion në Kosovë, nuk i ka inspektuar për këtë sezon dimëror nëse janë të sigurta pajisjet në Qendrën e skijimit në Brezovicë.

Gazeta Fjala merr vesh se edhe një kompani nga Bosnja, e angazhuar për inspektim përmes kompanisë menexhuese nga Serbia “Inex”, nuk i ka dhënë dritën e gjelbër lëshimit në punë të teleferikëve, për shkak të vjetërsisë se tyre. Përkundër kësaj teleferikët janë lëshuar për qytetarët.

Në to, sipas statistikave për numrin e vizitorëve në këtë qendër turistike, çdo ditë aty hypin rreth 1,200 skitarë.

Janë 2 teleferikë dhe një sklifit që turistët e interesuar për atraksionin e Brezovicës mund ti shfrytëzojnë. Ndonëse në këtë ski qendër ndodhen 5 teleferikë dhe 4 skilifta, mirëpo gjatë kohës, shumica e tyre janë prishur ose nuk punojnë.

Ndërkohë në Kosovë, dy ministritë kompetente për Brezovicën, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministria e Infrastrukturës, kanë hedhur topin tek njëra tjetra sa i përket përgjegjësisë për inspektim të teleferikëve.

Gazeta Fjala për këtë çështje fillimisht ka dërgur pyetje në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Zyrtarët e kësaj ministrie kanë thënë shkurtë se inspektimi i teleferikëve është kompetencë e Ministrisë se Infrastrukturës.

“Ju njoftojme se autorizimi i Trupave për Vlerësim të Konformitetit për inspektimin e teleferikëve nuk është në mandatin eMTI-së.  Për këtë arsye, nga ana e MTI-së nuk është e autorizuar ndonjë trupë e cila do t’i inspektonte këto pajisje. Përgjegjësia për rregullimin  e fushës për teleferikët në përdorim është bart dhe do të jetë në kompetencën e Ministrisë së Infrastrukturës”, kanë thënë për Gazetën Fjala nga Divizioni për media i kësaj ministrie.

MI, inspektimin e teleferikëve e kryen MTI

Ndërkohë sipas rekomandimit të Zyrës për Media në MTI, Gazeta Fjala ka dërguar pyetje mënjeherë në Ministrinë e Infrastrukturës.

Mirëpo përgjigja ka qenë befasuese. Zyrtarët e Ministrisë se Infrastrukturës përgjegjësinë për inspektimin e teleferikëve ia kanë hedhur tash Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë.

“Bazuar në legjislacionin në fuqi përkatësisht Ligjin Nr.04/L-179 për transportin rrugor çështja e teleferikut nuk bie në fushveprimin/kompetencat   e Ministrisë së Infrastrukturës. Andaj për këtë çështje mendojmë se duhet të drejtohen për marrjen e përgjigjeve tek MTI-ja”, kanë thënë nga Zyra për Media e Ministrsië se Infrastrukturës.

As komuna e Shterpcës nuk dinë gjë

Përveç institucioneve në nivelin qendror, qasje në inspektimin e pajisjeve në Brezovicë, duket se nuk ka as vetë komuna e Shterpcës.

Nënkryetari i kësaj komune Beqir Fejzullahu ka thënë për Gazetën Fjala se nuk është në dijeni për rrezikun që kanë pajisjet e vjetëruara në Brezovicë si dhe për mundësinë e inspektimit të tyre.

Këtë punë ai ka thënë se e kryen kompania serbe “INEX” që edhe menaxhon me Brezovicën. Por nënkryetari i Shterpcës nuk është i sigurtë nëse teleferikët janë inspektuar nga ndonjë institucion këtë sezon.

“Sezoni ka fillu. Me siguri që kompania e cila menaxhon me Brezovicën ka kryer inspektimet e teleferikëve. Gjithmonë testimi bëhet para fillimit të sezonit. Nuk guxon me nisë sezoni pa u testu teleferikët”, ka thënë Fejzullahu, edhe pse nuk ka arritur të tregojë se cila është kompania e angazhuar nga INEX për inspektimin e teleferikëve.

“Zakonisht ka qenë një kompani nga Bosnja. Nuk e di për sivjet”, ka thënë ai.

Gazeta Fjala, ka provuar të marr përgjigje edhe nga përgjegjësit e “Inex”, lidhur me përgatitjet për sezonin dimëror dhe sigurinë e teleferikëve në qendrën turistike në Brezovicë, por askush nuk ka dhënë përgjigje.