Qytetarja që e pastronte vullnetarisht Gërminë thotë se e quanin të “çmendur”

27.04.2019 19:29:53
Bllokimi i xhirollogarive bankare nga Kompania për Menaxhimin e Deponive te Kosovës bëri që kryeqyteti të bllokohet nga mbeturinat për vetëm dy ditë.

Në secilën pjesë të qytetit kontejnerët ishin të stërmbushur nga mbeturinat.

Por dikush që në mënyrë aktive merret me pastrimin e qytetit nga të tjerët po del të shihet si e sëmurë mentale.

Valbona Mustafa është një qytetare aktive në pastrimin e qytetit, ajo tregoi në emisionin “Ju flet Prishtina” të Klan Kosovës se është quajtur e sëmurë mentale nga qytetarë kur e kanë parë në parkun Gërmia duke mbledhë mbeturina vetë.

Mustafa shtoi se ka pasur qytetarë të tillë që e kanë pyetur në disa raste nëse ka qenë nën ndikimin e narkotikëve derisa e shihnin se kjo po pastronte mbeturinat që ata i hidhnin në park para syve të saj. Sipas saj, një pjesë e banorëve të vendit kanë frikë nga shportat.

Shefi i inspektoratit në komunën e Prishtinës, Alban Ymeri, deklaroi se për tre muaj inspektorati ka gjobitur 30 persona të cilët janë zënë duke hedhur mbeturina në vend të papërshtatshëm.