Rama: I rikthyem dinjitetin e nëpërkëmbur ushtarakëve, por kemi ende për të bërë

06.12.2016 17:07:28

Kryeministri i vendit Edi Rama ka zhvilluar një takim me ushtarakët. Në fjalën e mbajtur Rama tha se hoqën barrën e kthimit të parave që kishin ushtarakët ndaj shtetit. Ai theksoi se ushtarakëve u është rikthyer dinjiteti i nëpërkëmbur.

“Mua më kujtohet shumë mirë kur Gjykata Kushtetuese  shpalli të paligjshme kërkesën që 5700 ushtarakë t’i kthenin paratë shtetit.

Që prej 2009 mbanit një detyrim për t’i kthyer para shtetit dhe jo pak para. Pasi Shqipëria u fut në NATO dhe kur mendojmë se ua kemi hequr këtë barrë nga shpina, është një arsye për tu ndjerë krenar dhe jo për tu shprehur këtu arritjen e një destinacioni të pamundur.

Patjetër që nuk është pak dhe nuk mund të mos jetë arsye për të qenë krenar që kemi bërë hap pas hapi për të vënë në vend dinjitetit, duke kthyer kompensimin mujor për ushqimin, që ishte hequr. Po si mund të jemi të kënaqur me këtë në shek. e XXI. Ju e dini më mirë se unë se Ministria e Mbrojtjes akumuloi 16 mln euro borxhe për shërbime të papaguara ndaj të tretëve. Ndërkohë që u ndërpre dhe kompensimi për ushqimin, u blenë aparatura për përgjimin që si duheshin dreqit. Është e shkuara dhe ne s’kemi se si mos të ndihemi mirë që këto gjera i kemi korrigjuar në proces”, tha kryeministri.