Rama: Konsensus vetëm sipas propozimit të Nulandit

19.07.2016 11:42:18

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama foli për progres në disa aspekte nga negociatat e fundit për reformën në drejtësi, progres që ai tha se nuk ka kaluar vijën e kuqe të vendosur nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Ai i kujtoi Partisë Demokratike se nuk mund të japë konsensus përtej kornizave të vendosura në draftin e reformës.

“Propozimi hibrid i Victoria Nuland është e vetmja mundësi për konsensusin dhe e rikonfirmoj se deri në orën 10:00 të 21 korrikut, gatishmëria për të gjetur buzëqeshjen reciproke mbi këtë propozim është e plotë”, u shpreh ai.

“I bëj thirrje kreut të Partisë Demokratike që të sillet si lider. Ne i kemi dhënë konsensus për gjithçka të negociueshme dhe të mundshme”, deklaroi Rama.

“Ne 140 deputetët jemi përballë një gjendjeje shumë të qartë; o të votojmë në emër të Shqipërisë dhe shqiptarëve, o të votojmë që drejtësia të ruajë vazhdimin e pengmarrjes së vazhdueshme dhe të dhunshme”, tha ai.