Rama-Meta, takim kokë më kokë në periferi të Tiranës

18.03.2017 15:32:54

Dy aleatët e koalicionit qeverisës, Rama dhe Meta, janë takuar sot në mëngjes në një lokal në periferi të Tiranës.

Për t’i shpëtuar syrit të publikut dhe vëmendjes mediatike, kryeministri dhe kreu i Kuvendit kanë zgjedhur të konsumojnë një kafe rreth orës 09:00 në një lokal pranë rrugës së Elbasanit, jo shumë larg ambasadës amerikane rrugës për në Sauk.

Burime mediatike, shprehen se takimi mes tyre ka qenë kokë më kokë, pa praninë e personave të tjerë. Nuk dihet ende çfarë është diskutuar gjatë tij, ndërkohë që LSI ende nuk i ka kthyer një përgjigje PS, nëse do të dalin bashkë në zgjedhje.

Nga ana tjetër prej një muaji opozita ndodhet në protestë dhe kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të lira si dhe krijimin e një qeverie teknike.

Situata mes PS dhe LSI pati një tensionim ditën e djeshme, pasi Luan Rama akuzoi policinë se bën shfaqje televizive me korrjen e kanabisit, në një kohë që duhet veprim urgjent.

Në reagim ndaj tij ministri i Brendshëm në detyrë Saimir Tahiri, e cilësoi qëndrimin e LSI si të pasaktë dhe vetëm për vota.