Rama para Hotit thotë se është thyer “tabuja” e minishengenit, përmend përfitimet nga ky projekt

02.10.2020 13:54:00

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media pas nënshkrimit të marrrëveshjeve mes dy shteteve.

Rama lavdëroi Hotin që i hapi rrugë dialogut me Serbinë, dhe ri-përmendi faktin që sipas tij ishte ai që hoqi pengesat që Kosovës i ishin vënë në barrë, shkruan lajmi.net.

“Më vjen mirë që sot jam posaçërisht me Avdullah Hotin, i cili me mençuri dhe kurajo ka zhbllokuar një proces të ngrirë dhe ka hequr një pengesë të vetvënë të Kosovës, duke i hapur rrugë vazhdimit të të vetmes vijë  sjelljeje ndërkombëtare që Kosova ka të përcaktuar qysh në ditën e parë të lindjes së saj, dialogut dhe përkatësisë së patundur në familjen  e madhe të vendeve që ishin kyçe në çlirimin e saj, në partneritet me BE-në dhe SHBA-të”, tha ai.

Tutje, Rama foli edhe për projektin e mini-schengenit, temë kjo që sipas tij i është hequr tabuja e diskutimit.

Ai tha se ky projekt mund të jetë pikënisje për njohjen e Kosovës nga Serbia.

“ Më vjen shumë mirë që tabuja e shengenit rajonal ka rënë dhe e përsëris edhe këtu që shengeni rajonal është projekti i fëmijëve tanë. Një projekt që asnjë burrë në çfarëdo moshe qoftë s’mund ta marrë peng, dhe nuk duhet ta rrënojë duke shfrytëzuar mandate përfaqësimi nga populli ynë këndej dhe andej bjeshkëve. Shengeni rajonal është projekt që do të ndërtojë drejtpërdrejtë në një të ardhme më të mirë për fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve tanë. Është një projekt transformues ku duhet të shkëputemi nga e kaluara, dhe një proces për njohjen e Kosovës nga Serbia që mund ta realizohet vetëm përmes rrugëve diplomatike, mençurisë, durimit për të fituar një  betejë. Kosova është shtet sovran që s’mund të vihet në dyshim nga askush që ende vonon ta njohë. I takon Kosovës mirëpo edhe Shqipërisë që mos ta shpërdorojmë lirinë”, tha ai. /Lajmi.net/