Kryeministri Edi Rama gjatë takimit të tij me përfitues të Paktit Kombëtar të Mirëqenies Sociale, tha se suksesi i të gjitha reformave të ndërmarra nga qeveria varet nga zbatimi i reformës në drejtësi, në të kundërt ato rrezikohen. Sipas shefit të qeverisë, procesi në fjalë po has shumë pengesa, të cilat sipas tij ngrihen nga njerëz që nuk duan forcimin e institucioneve në vend.
“Të gjitha këto reforma do të fillojnë të japin në çdo hap e më shumë rezultate, por janë të kërcënuara në suksesin e tyre të plotë nëse ne nuk zbatojmë reformën në drejtësi, nëse ne nuk çlirojmë drejtësinë nga kthetrat e gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar dhe nënkupto këtu edhe nga kthetrat e politikanëve të korruptuar, që do të thotë që për ne është themelore që të fillojë zbatimin e reformës në drejtësi përmes vettingut, por kur them për ne nuk kam parasysh për qeverinë, nuk kam parasysh për PS, por kam parasysh popullin shqiptar”, tha Rama.
Duke u fokusuar tek motivi i këtij takimi, kreu i qeverisë u ka thënë të pranishëmve se, së bashku do ta çojnë përpara projektin e Rilindjes, pavarësisht gjithë vështirësive. Ai ka shtuar se, në 3 vite e gjysmë punë janë krijuar instrumente për të ndërtuar një sistem kompakt të shërbimeve sociale. Pakti për Mirëqenien Sociale do të ketë si qëllim t’u shkojë njerëzve në nevojë më afër, pasi shpërndarja e shërbimeve tregon se një pjesë e mirë e qytetarëve në nevojë kanë vështirësi për të prekur realisht ndihmën e shtetit, u shpreh kryeministri.
Sipas tij, mbulimi i shërbimit në të gjithë territorin, ngritja e shërbimeve të detyrueshme në çdo bashki, ofrimi i shërbimeve pranë qytetarit, përgjegjësitë e qarta të pushtetit vendor, por gjithashtu edhe ngritja e fondit social apo kalimi i kompetencave te pushteti lokal, janë reforma që përkthehen në mbështetje të drejtpërdrejtë të shtresave në nevojë.






































