Rama shkarravit sigurinë

05.11.2016 14:16:40

Tashmë droga e Edvinit është kthyer në brand-in e vendit dhe politikat qeveritare po na shndërrojnë në shkatërrues të sigurisë dhe destabilizues të rajonit.

Por kryeministri ka prioritete të tjera dhe ditën e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, ai investohet për shkarravinat e veta në Nju Jork, duke konfirmuar se pasi shkarraviti qeverisjen, tashmë i ka mbetur të shkarravisë edhe sigurinë e përbashkët, duke na lënë me “kulturën e kanabisit” trashëgiminë më të trishtë në 25 vite pluralizë.

Piktori i dështuar pasi e pikturoi Shqipërinë ngjyrë jeshile si e ëndërronte në gjumin e tij plot makthe nga frika se i dilnin në pah dështimet dhe keqqeverisja në tre vite, po vazhdon që neverinë të cilën e ndjen ndaj qytetarëve të vetë dhe ndjenjën e nënvlerësimit për gjendjen e Shqipërisë ta kthejë në kult e ta himnizojë me lëvizjen e tij të radhës, ku nuk do t’i bashkohet mbledhjes së paralajmëruar të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku do të diskutohet problematika e kanabisit. Siç ishte edhe e pritshme përgjegjësi kryesor për gjendjen e krijuar, ku droga është kthyer në kryefjalën e çdo diskutimi dhe është prezente në çdo ambient, do ta braktisë mbledhjen, të cilën në një vend demokratik dhe ku punohet për të mirën e qytetarëve ai duhet të ishte personi kyç që do të ofronte zgjidhjen më të mirë të mundshme për ta çrrënjosur fenomenin me të cilin po përballet Shqipëria. Por, Edvini është një frikacak, mashtrues dhe hidhnak, sepse i përdori shqiptarët për t’iu vjedhur besimin e më pas për ti goditur me sopatë të madhe mbas shpine. I goditi fillimisht me gjoba dhe taksa e më pas për t’i nënshtruar plotësisht i hapi dyert bimës jeshile të kanabisit si alternativë punësimi dhe pasurimi, edhe pse ishte i qartë që droga nuk do të bënte gjë tjetër veçse do të shtonte krimin, vrasjet dhe do të përkeqësonte imazhin e Shqipërisë në rajon e më tej. Tashmë që droga e Edvinit është ngritur në piedestal si një e keqe që po çon vendin dhe rajonin drejt destabilizimit, ky njeri hidhnak po tmerrohet e frikësohet aq shumë nga forca e së keqes që kultivoi me duart e veta, sa nuk ka fytyrë që të marr pjesë në Këshillin më të rëndësishëm që diskuton për një zgjidhje mbi çështjen e kanabizimit, pasi e di që do t’i duhet të deklarojë aty përfshirjen e tij në këtë biznes miliarda dollarësh, me lekët e të cilit synon të vjedhë zgjedhjet e ardhshme. Rama e konfirmoi dje në parlament mos pjesëmarrjen e tij në mbledhjen e thirrur nga presidenti Nishani në kushte emergjence për vendin, por ajo që e bën këtë fakt dhe kryeministrin qesharak është arsyeja për të cilën ai ka deklaruar se heziton të jetë pjesëmarrës. Rama po i lë në baltë fatet e vendit vetëm e vetëm që në 11 Nëntor të shkojë në Nju Jork e të prezantojë vizatimet e tij prej piktori të dështuar. Ai që e cilëson veten si piktor duhet të kuptojë se vendi sot falë filozofisë së tij kanabiste është vendosur nën pushtetin e bandave të drogës ndaj në 11 Nëntor duhet të jetë në mbledhje për t’i treguar shqiptarëve të paktën njëherë të vetme se kryeministri i tyre gjendet aty i gatshëm për të pranuar përgjegjësitë dhe për të hartuar një plan që do të ndalte avancimin e mëtejshëm të narkotrafikut. Por, Rama asnjëherë nuk ka qenë kryeministër, pasi është i njohur si batakçi, që karrigen më të rëndësishme e shfrytëzon për interesa personale dhe për të pasuruar miqtë e tij kriminelë, ndaj edhe këtë herë po i shmanget të vërtetës duke u “arratisur” në Amerikë në ditën kur luhet për të ardhmen e shqiptarëve që e votuan 3 vite më parë. Kryeministri do të largohet me bishtë ndër shalë nga frika e të palarave të tij në pazaret e drogës, dhe kjo duhet t’i shërbejë shqiptarëve për të kuptuar se në krye të shtetit kanë vendosur një kriminel që sa herë i duhet t’i dalë zot punës për të cilën i kanë besuar votën, largohet jashtë vendit me justifikimin se prezanton ekspozitën e tij të vizatimeve. Por këtë herë është koha që Edvini të ekspozojë edhe kryeveprën e tij, për të cilën ka punuar tre vite dhe që është Shqipëria e shndërruar në një Amazonë me jeshillëk trefletëshi nga veriu në jug. Sado që t’i shmanget Rama drogës që ia bëri peshqesh qytetarëve, përsëri do të vijë një moment që ky njeri do të dalë përpara shqiptarëve e do të japë llogari për çdo dështim dhe për drogën me të cilën gjunjëzoi në ditë me diell rendin, sigurinë dhe jetën e tyre.

Rama do të ekspozojë vizatimet në Nju Jork ditën që mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare / Në 11 Nëntor, ditën kur mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare për çështjen e kanabisit, Edi Rama do të jetë në Nju Jork. Në galerinë “Marian Goodman”, kryeministri shqiptar do të ketë një bisedë në çeljen e ekspozitës së tij, ku do të ekspozohen jo vetëm pikturat, por edhe skulpturat e tij të qeramikës. “E gjeta veten teksa vizatoja gjatë gjithë kohës së punës time, duke komunikuar me njerëz, në zyrë apo në telefon. Erdha në përfundimin se nuk po vizatoja unë- po e bënin duart e mia”, është shprehur Rama për organizatorët e ekspozitës.    “Fillova të kuptoj se pavetëdija ime ndihmohej, apo ushqehej nga dora ime për t’u qetësuar, ndërsa vetëdija duhej të përqendrohej në çështjet e duhura dhe kështu më ndihmonte të shmangia gabimet e zgjedhjeve të këqija përmes përqendrimit. Duke ditur këtë, më vonë i jepja kohë vetes dhe qëndroja i vetmuar për të vizatuar, kur ndërkohë duheshin marrë vendime të rëndësishme politike, atëherë kur qetësia që duart i mësonin kokës time, ishte aktivizuar”, ka thënë kryeministri shqiptar për organizatorët në Nju Jork. Në Këshillin e Sigurisë Kombëtare do të bisedohet për situatën e rënduar të kanabisit në vendin tonë. Presidenti Bujar Nishani ka thirrur të gjithë krerët e institucioneve ligj zbatuese pas alarmit, që dhanë mediat ndërkombëtare për trafikun e rënduar të drogës nga Shqipëria në drejtim të vendeve fqinje.